Vëllai i të akuzuarit për tentim vrasje kërcënon avokatin e palës së dëmtuar

  • G.G /
  • 03 November 2021 - 12:14
Vëllai i të akuzuarit për tentim vrasje kërcënon avokatin e palës së dëmtuar

Pas shtyrjes së seancës ndaj të akuzuarit  për tentim vrasje, F.G, vëllai i të akuzuarit, Y.G dyshohet se ka kanosur të autorizuarin e palës së dëmtuar, avokatin Burim Halili.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, e ka lajmëruar rastin në polici.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Fillimisht, seanca e rigjykimit e paraparë të mbahej të mërkurën, ndaj të akuzuarit është shtyrë për shkak të mungesës së prokurorit Haxhi Sinanaj.

Prokurori Sinanaj e kishte arsyetuar mungesën, duke thënë që për shkaqe personale gjendet jashtë vendit.

Prezent në seancë ishin i akuzuari bashkë me mbrojtësin e tij avokatin Muharrem Hoti, vëllai i të akuzuarit Y.G dhe dëshmitari M.G, si dhe i autorizuari i palës së dëmtuar, avokati Burim Halili.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës, e njëjta është shtyrë për 16 dhjetor të këtij viti.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, e kishte dënuar të akuzuarin tani të ndjerin F.Ll, për veprën penale të vrasjes me burgim prej 13 vite, ndërsa të akuzuarin F.G, për shkak të veprës penale të vrasjes së mbetur në tentativë kishte përcaktuar dënim me 2 vite burgim me kusht dhe me 500 euro gjobë. 

Për çka, këtë vendim Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim ndaj të akuzuarit F.G.

Sipas Apelit, thuhet se në aktgjykimin dënues ishin të përfshira shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse nuk ishte përpiluar në pajtim me dispozitën e nenit 370 të KPRK-së, e duke mos dhënë arsye në të cilat është bazuar me rastin e shqiptimit të dënimit me kusht duke pasur parasysh kushtet që parashikon Kodi Penal, për shqiptimin e këtij dënimi të cilat lidhen me lartësinë e dënimit të përcaktuar për veprën penale për të cilin i akuzuari shpallet fajtor.

Sipas aktgjykimit të Apelit, aktgjykimi i ankimuar është dashur që të anulohet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 25 janar 2018, i pandehuri F.Ll më 14 shtator 2017, me dashje para derës së shtëpisë së tij, pas një mosmarrëveshje e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin I.G të cilin e ka goditur dy herë me sëpatë në pjesën e sipërme të kokës dhe në vetullën e djathtë, ku i njëjti si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin Regjional të Pejës.

Për çka, prokuroria e ngarkonte Llonqarin, me veprën penale të vrasjes nga neni 178 të KPK-së.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti në datën e lartcekur, tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin F.G, në atë mënyrë që në ditën kritike kur G. e kishte kuptuar që babai i tij, I.G ishte goditur me sëpatë nga Ll. dhe nga plagët e marra ka ndërruar jetë.

Sipas aktakuzës, më pas F.G me armë shkon tek dera e oborrit të pandehurit dhe shtie me armë disa herë në drejtim të tij me qëllim që ta privojë nga jeta dhe në këtë rast, i pandehuri i cili ishte në ballkonin e tij, kur e vëren viktimën duke gjuajtur, shtie me armë ndaj viktimës për ta zmbrapsur nga vetja rrezikun, me ç’rast ka shtënë shtatë herë dhe nga këto të shtëna, viktima F.G goditet me tre plumba (dy herë në pjesën e poshtme të stomakut dhe një herë në krahë).

Për këtë vepër, i akuzuari Ll.ngarkohej me veprën penale vrasje e mbetur në tentativë në rrethana të mbrojtjes së nevojshme nga neni 178 e lidhur me nenin 28 dhe 12 par 3 të Kodit Penal.

Vepra e tretë, e cila i vihej në barrë të pandehurit Ll., është “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPK-së, në bazë të së cilës edhe e ka kryer veprën penale të dytë ndaj viktimës F.G.

Kurse, sipas aktakuzës, i pandehuri i dytë, F.G, pretendohet se më 14 shtator 2018, me armë ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin F.Ll, në atë mënyrë që kur i pandehuri kishte dëgjuar se kishte ndërruar jetë babai i tij, si pasojë e plagëve të marra, me ç’rast shtënë me armë disa herë ndaj viktimës, por të cilin nuk arriti ta godet.

Me ç’rast prokuroria të pandehurin F.G e ngarkon me veprën penale vrasje e mbetur në tentativë nga neni 178 e lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.

I njëjti, sipas aktakuzës, pa autorizim ka mbajtur në posedim armë dhe municion dhe atë një revole të tipit “TT’ M-57”, ca.7.62  dhe një karikator të zbrazët, me të cilën i pandehuri në ditën kritike kishte tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin F.Ll.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal.

(Kosova Sot Online)