“Rasti, mbret i botës”, Lutfi Haziri komenton takimin e Kurteshit të LVV-së me përfaqësuesin serb

  • E.K /
  • 03 November 2021 - 15:30
“Rasti, mbret i botës”, Lutfi Haziri komenton takimin e Kurteshit të LVV-së me përfaqësuesin serb

“Rasti është mbret i botës”, kështu shprehet Lutfi Haziri lidhur me takimin që zyrtari i Lëvizjës Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka zhvilluar me ish-nënkryetarin e Gjilanit nga komuniteti serb, Bozhidar Periq.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë përballë njëra-tjetres në rundin e dytë të zgjedhjeve në Gjilan. Në tentim të mbledhjes së forcave për të dalë fitues, kanë nisur negociatat për koalicione me subjektet që s’janë në garë. Dje është raportuar se Kurteshi është takuar me ish-nënkryetarin e Gjilanit nga komuniteti serb, Bozhidar Periq.

Lidhur me këtë takim, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri në një përgjigje me shkrim për Express tha se “rasti është mbret i botës”.

Ndërkaq zyrtari i lartë i LVV-së, Ismail Kurteshi, njëherë e ka mohuar takimin, e pastaj e ka konfirmuar, duke thënë se ishte takim i rastit.

“LDK në Gjilan e ka publikuar sonte një foto nga një takim i rastit me ish nënkryetarin e Komunës së Gjilanit z. Periq në Qendrën Tregtare “AGMIA’ Në Gjilan, kinse për të kërkuar vota për VV-në. E vërteta është se: 1. Zoti Periq është nga Komuna e Parteshit dhe nuk ka te drejtë vote në Gjilan,. i njëjti vjen nga subjekti LKP “Lista za Kosovsko Pomoravle”. 2. Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan nuk e ka mandatuar askënd për të negociuar me subjektet tjera në lidhje me koalicionet. 3. Takimi ka ndodh në vend publik ku ka pas shumë qytetar dhe ka kamera”, ka thënë Kurteshi në një postim në Facebook.

Lidhur me votat e komunitetit serb në komunën e Gjilanit, ka pasur përplasje mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri.

Bislimi e ka akuzuar Hazirin se ka blerë vota nga Lista Serbe në Gjilan.

“Në Gjilan gara është dashur të përfundohet më 17 tetor, sikur të mos kishin qenë dy elemente. Kryetari aktual i Gjilanit e ka ditur shumë mirë se si do të përfundojë rezultati më 17 tetor dhe ka shkuar deri në instrumente që askush nga qytetarët e Gjilanit nuk ka besuar se do të shkonte ai. I dini këto vota që i ka blerë nga Lista Serbe. Është edhe më keq nëse nuk i ka blerë ato e i janë dhënë falas. I bie se janë pjesë e kalkulimeve të Beogradit”, kishte thënë Bislimi.

Deklaratës së Bislimi i është kundërpërgjigjur Lutfi Haziri, duke e quajtur si deklaratë djallëzore.

“Është non sens. Është gabim politik dhe është djallëzor, në prapaskenë deklarata e zv.kryeministrit me subjektet e veta që janë qytetarët e Kosovës. Ai do të duhej me punu dhe integru totalisht dhe me ndërtu mirëbesim”, kishte thënë Haziri.

(Kosova Sot Online)