Zyrtarja e lartë amerikane në Prishtinë, takon kryeministrin Kurti

  • E.K /
  • 04 November 2021 - 14:47
Zyrtarja e lartë amerikane në Prishtinë, takon kryeministrin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Prishtinë, zyrtaren e lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan, Molly Montogomery.

Zëvendës ndihmësja e sekretarit të Shtetit, Molly Montgomery në këtë takim ka theksuar marrëdhënien ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo ka falënderuar kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se kjo ndihmë ishte obligim humanitar i Kosovës, duke shtuar se Kosova dëshiron t’i qëndrojë në krah ShBA-ve, si aleat trategjik.

Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu e njoftoi për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë.

Siç njofton zyra për media e kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohen për vlerësimin e Presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke.

Gjithashtu, u bisedua për situatën e mirë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe administrimin e rreth 1.6 milionë dozave.

Kryeministri Kurti ka falendëruar ShBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19.

Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me ShBA-në, kryeministri shprehu përkushtimin e Qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve.

(Kosova Sot Online)