Qeveria s’tërhiqet nga vetingu, KGJK-ja e sheh të rrezikshëm mekanizmin e jashtëm

  • A.P /
  • 04 November 2021 - 22:16
Qeveria s’tërhiqet nga vetingu, KGJK-ja e sheh të rrezikshëm mekanizmin e jashtëm

Pavarësisht kundërshtimeve të gjyqtarëve e prokurorëve, Ministria e Drejtësisë po e sheh të vetmen rrugëdalje për pastrim të sistemit të drejtësisë vetingun. Një veting nga mekanizma të jashtëm po konsiderohet i rrezikshëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në emisionin “Desku, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, ka kërkuar nga Qeveria që të mos ndërhyjë në drejtësi. Nga Qeveria ka thënë se mund të ruhet pavarësia e drejtësisë vetëm nëse nga Ministria s’flasin fare për gjyqësor.

Por zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se vetingu është shkallor dhe se amendamentet pret që të bëhen brenda vitit të ardhshëm. Ai ka shprehur bindjen se vetingu do të përkrahet edhe nga partitë opozitare.

Kundërshtimin për veting, Zogaj e ka arsyetuar me faktin se “shumica e gjyqësorit janë të rinj dhe me më pak se 6 vjet përvojë pune”.

“S’pranoj të rrënohet diçka që kemi punuar çdo ditë për ta ndërtuar, për shkak se qeveria mund ta ketë kauzë politike për çështje votash. E papranueshme”, ka thënë ai. “Qeveria le të kthehet tek opsioni që e ka dhënë KGJK-ja dhe që është në përputhje me Raportin e Progresit që e ka qartësuar rrugën që duhet të ndiqet. Vetingu me ndryshime kushtetuese alternativa e fundit sepse i merr pesë vjet punë e duhet buxhet i madh. Vetingu me ndryshime ligjore të brendshme sepse vetë ideja me të jashtme është tepër e rrezikshme e ky vend demokratik s’e lejon. Me mekanizma të brendshëm i ftoj të ulemi qysh nesër sepse po humbim kohë”.

Por kjo me mekanizma të brendshëm s’mund të bëhet, sipas zëvendësministrit Sallahu.

“S’mund të bëhet brenda sepse veprimet kundërligjore s’janë në numër njëjës, por në shumës. Përfshihen shumë vetë aty. S’mund të bëj unë ty veting kur këta rrinë vazhdimisht bashkë. S’është veting ky. Prandaj duhet mekanizëm i jashtëm që do të votohet nga një organizëm i jashtëm ndërkombëtar. S’po shoh pse të ketë shqetësime”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)