Rasti i parë befason botën – dy hiena dalin pozitive në testin për Covid-19

  • S.A /
  • 06 November 2021 - 09:19
Rasti i parë befason botën – dy hiena dalin pozitive në testin për Covid-19

Dy hiena në një kopsht zoologjik në Denver të ShBA-së kanë dalë pozitive në testin për Covid-19. Këto janë rastet e para të infektimit të konfirmuar të këtij lloji të kafshëve në botë.

Mostrat e disa llojeve të kafsheve në kopsht zoologjik u testuan, pasi disa luanë u sëmurën, sipas Laboratoreve Kombëtare për Shërbime të Veterinarisë. Mostrat e hienave dolën pozitive në një laborator të Universitetit Shtetëror të Kolorados dhe u konfirmuan nga një laborator kombëtar. Përpos dy hienave, njëmbëdhjetë luanë e dy tigra gjithashtu dolën pozitivë në testin për Covid-19, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Zyrtarët e kopshtit zoologjik thanë se hienat 22- dhe 23-vjeçare, Ngozi dhe Kibo, kanë simptoma të lehta, përfshirë rrjedhje hundësh dhe kollitje.

Kafshët tjera që kanë dalë pozitive në testim në javët e fundit ose janë shëruar plotësisht, ose janë në rrugë drejt shërimit të plotë.

Infeksione të kafshëve janë raportuar në disa lloje të tyre në pjesë të ndryshme të botës, kryesisht te kafshët që kanë pasur kontakt të ngushtë me njerëz të infektuar, sipas Departamentit të Bujqësisë. Këshillohet që njerëzit e prekur nga Covid-19 ta shmangin kontaktin e ngushtë me kafshët, përfshirë kafshët shtëpiake, për t’i mbrojtur ato nga infektimi i mundshëm.

(Kosova Sot Online )