Tha se BIA është e përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit, Trajkoviq: Po më përndjekin, më është bllokuar pensioni (Dokument)

  • G.G /
  • 06 November 2021 - 11:37
Tha se BIA është e përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit, Trajkoviq: Po më përndjekin, më është bllokuar pensioni (Dokument)

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka njoftuar opinionin se i është bllokuar pensioni nga shteti serb nga përmbaruesit që janë duke e kryer vendimin e procesit gjyqësor, për të cilin asnjëherë nuk është informuar.

Përkatësisht, ajo është paditur nga zyrtari i Agjencisë së Sigurisë Informative, Bojan Dimiq, për shkelje të reputacionit të saj, dhe në aktgjykim thuhet se ka marrë njoftim, ndonëse pretendon se nuk e ka marrë.

“Sapo mora vesh se pensioni më ishte bllokuar nga ekzekutorët që po kryejnë vendimin e procesit gjyqësor, për të cilin nuk u informova asnjëherë. Kjo është padia e dytë për dëmtim të reputacionit, e cila është ngritur kundër meje pa dijeninë time nga zyrtari i BIA-s, Bojan Dimiq. I kam borxh 500.000 dinarë(4200 euro)”, ka shkruar Trajkoviq në Twitter.

Ajo shton se procesi është në kundërshtim me postulatet e sundimit të ligjit dhe se ligji është shkelur rëndë sepse Dimiq është zyrtar i BIA-s.

“Në kundërshtim me postulatet bazë të shtetit të së drejtës dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ky proces u zhvillua/u përmbyll pa dijeninë time, gjë që cenoi të drejtën time për një gjykim të drejtë/të paanshëm. Pse kjo shkelje e rëndë e ligjit? Epo, sepse prokurori është zyrtar i BIA-s”, theksoi ajo.

Dimiq e ka paditur kryetaren e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova sepse ajo ka deklaruar se shërbimet serbe të sigurisë dhe mafia janë përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Në shpjegimin e padisë së miratuar thuhet se e kam ofenduar Dimiqin duke thënë në Utisak nedelja se në vrasjen e Ivanoviqit janë përfshirë “shërbimet e sigurisë serbe dhe mafia”. Si drejtor i BIA-s, Dimiq e gjeti veten të thirrur dhe tërthorazi të lidhur me vrasjen. Pra ku është logjika juridike këtu”, pyeti Trajkoviq.

Kjo e fundit gjithashtu theksoi se ndaj saj po kryhej persekutim i organizuar. Përveç kësaj, sipas saj, kjo nuk është padia e vetme e Dimiq kundër saj.

“Vetëm dy ditë më parë jam paraqitur në seancën lidhur me padinë e dytë të Bojan Dimiqit kundër meje, përndryshe e vetmja për të cilën jam informuar qëllimisht. Sepse nuk po i ik drejtësisë dhe shtetit të së drejtës dhe nuk do të lejoj të shkelen të drejtat e mia elementare njerëzore, edhe nëse më mbarojnë dinarët”, shton Trajkoviq.

Ajo u ka bërë apel institucioneve përkatëse dhe organizatave joqeveritare që të reagojnë.

“Duhet të ndalet një herë e mirë paligjshmëria, turpësia dhe mosndëshkimi i nëpunësve të privilegjuar të shtetit! Sistemi juridik i Republikës së Serbisë duhet t’i kthehet qëllimit të tij kushtetues – të ndëshkojë kriminelët dhe jo të frikësojë aktivistët, sinjalizuesit dhe disidentët politikë!”, përfundoi ajo.

Ndryshe, Oliver Ivanoviq, lideri i iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) është vrarë para tre viteve me armë zjarri para zyrës së tij në veri të Mitrovicës nga një veturë në lëvizje. 

(Kosova Sot Online)