Kjo është e kaluara nëpër gjyqe e të riut që u vra mbrëmjen e kaluar në Gjilan

  • G.G /
  • 09 November 2021 - 11:26
Kjo është e kaluara nëpër gjyqe e të riut që u vra mbrëmjen e kaluar në Gjilan

Mbrëmjen e kaluar, në një incident tragjik ku u përdorën armët e zjarrit mbeti i vrarë Egzon Rafuna, 21 vjeçar nga Gjilan, teksa u lëndua rëndë Valdrin Halimi

Sipas raportit të Policisë, në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë dhe 7 copë gëzhoja të kalibrave 7.65 dhe 9 mm.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, në një pronocim për Gazetën Insajderi konfirmoi se viktima Egzon Rafuna, ka qenë pa shenja jete në momentin kur kishte arritur në spital, ku kishte marrë plagë nga arma e zjarrit në pjesën e majtë të gjoksit.

I ndjeri, Egzon Rafuna, kishte të kaluar delikuente, ku kishte qenë i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 muaj burgim me kusht, për një rast që kishte ndodhur në vitin 2017, ku sipas Prokurorisë, Rafuna derisa ishte në veturë të dëmtuarës së mitur E.D dhe dy persona të tjerë, kishte gjuajtur me armën, e cila ishte në posedim te të miturës, duke plagosur vetën dhe të miturën E.D.

Në lidhje me këtë rast, Gazeta Insajderi ka kontaktuar avokatin mbrojtës të tashmë të ndjerit, Egzon Rafunës, i cili ka konfirmuar rastin e viti 2017, duke shprehur ngushëllime familjes për humbjen e jetës së Egzonit.

Avokati Curri, tregoi se rasti kishte ndodhur aksidentalisht, ku i ndjeri kishte shkrepur një armë në veturë duke lënduar vetën dhe një vajzë të mitur e cila ndodhej së bashku me të në veturë.

“Rasti i parë ke qenë lëndim i rëndë trupor, vepër kjo e cila është rikualifikuar në shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Rasti ka qenë aksidental, gjatë një shëtitjes me veturë, vajza e mitur e cila ishte në veturë ka pasur një armë zjarri me vetë, e cila kishte një plumb në gryk, i cili kishte shpërthyer duke lënduar Egzonin fillimisht e pastaj plumbi kishte deportuar edhe në këmbën e vajzës së mitur. Në këtë rast nuk kishte dashje për lëndimin e vajzës, dhe në fund të çështjes, prokurori kishte rikualifikuar veprën në shkaktim i rrezikut të përgjitshëm. Për këtë rast, ai ishte dënuar me 8 muaj burg me kusht” – deklaroi avokati Agron Curri.

I ndjeri Egzon Rafuna, kishte edhe një rast aktiv në Gjykatë, ku akuzohej për një rrahje, rast për të cilin ishte mbajtur vetëm një seancë gjyqësore.

“Rasti i dytë ishte një vepër minore. Ishte një rrahje mes shokëve, ku është mbajtë vetëm një seancë. Unë kam kërkuar një marrëveshje për pranimin e fajësisë, por Prokurori dhe gjyqtarja e rastit nuk pranuan. Rasti ka ndodhur diku dy vite më parë dhe nuk është trajtuar më asnjëherë nga Gjykata” – përfundoi ai.

Në lidhje me rastin e mbrëmjes së kaluar, ku mbeti i vrarë Egzon Rafuna, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar katër (4) persona në kohëzgjatje prej 48 orësh, tani të dyshuarit V.H., B.K., A.S. dhe E.N., pasi dyshohen se kanë qenë të përfshirë në incidentin e mbrëmshëm (08 Nëntor 2021).

Gjithashtu, nga kjo ngjarje është plagosur edhe i dyshuari V.H., i cili është duke u trajtuar në QKUK, nën mbikëqyrjen dhe sigurimin e njësiteve policore. Po ashtu, në këtë rast, dyshohet se ka qenë i involvuar edhe një (1) person tjetër, i cili për momentin gjendet në arrati”, thuhet në komunikatën e prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Ndërsa, i plagosuri pas trajtimit që mori në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm. Kështu bërë të ditur për Gazetën Insajderi, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.

E drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, i tha KP-se gjendja shëndetësore e të plagosurit është stabile.

(Kosova Sot Online)