“E shihni ju se kush ka me nxjerrë hak”, dënohet me 8 muaj burgim me kusht qytetari që sulmoi dhe kanosi dy policë

  • E.K /
  • 09 November 2021 - 12:58
“E shihni ju se kush ka me nxjerrë hak”, dënohet me 8 muaj burgim me kusht qytetari që sulmoi dhe kanosi dy policë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 8 muaj burgim me kusht Q.R i akuzuar se në janar të 2017-ës pengoi zyrtarët policorë Valon Bajqinca dhe Dukagjin Kololli, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit u shpall të martën nga gjykatësja Sulltane Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikues prej një viti, i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Po ashtu, i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 50 euro në emër të paushallit gjyqësor, 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit dhe shumën prej 20 euro për ekspertizën mjeko-ligjore.

Pala e dëmtuar për realizmin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në nëntor të 2017-ës, Q.R po akuzohet se më 4 janar 2017, në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Prishtinë, nuk i ka përfillur urdhrat e zyrtarëve policorë për largimin e kamionetës së tij (makinën tërheqëse-merimangën), nga shiriti rrugor ku ishte ndalur dhe kishte bllokuar komunikacionin.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht policët Valon Bajqinca dhe Dukagjin Kololli i kanë kërkuar të pandehurit të largohet dhe mos ta bllokojë rrugën, mirëpo ai kishte refuzuar e po ashtu kishte refuzuar të prezantonte edhe dokumentet e tij personale dhe të makinës.

Tutje, në aktakuzë thuhet se edhe pse zyrtarët policorë i kishin tërhequr vërejtjen se do të arrestohet, i njëjti përsëri ka refuzuar që t’ua japë dokumentet, pastaj kur policia ka tentuar ta arrestojë, i akuzuari Rafuna ka qenë shumë agresiv dhe e ka goditur zyrtarin policor Bajqinca në anën e majtë të qafës, si dhe i ka kanosur me fjalët “e shihni ju se çka ka me ju bo, se kush ka me nxjerrë hak për këtë punë”.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon Rafunën me veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

(Kosova Sot Online)