Deklarata e Sveçlës se Luan Berisha ka bërë vetëvrasje, reagojnë familja dhe avokati

  • E.K /
  • 09 November 2021 - 13:00
Deklarata e Sveçlës se Luan Berisha ka bërë vetëvrasje, reagojnë familja dhe avokati

Familja Berisha dhe avokati Flakron Sylejmani, kanë reaguar pas deklaratës të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, i cili i tha kryeministrit Albin Kurti se familjari i tyre, Luan Berisha, është vetëvrarë.

Përmes një reagimi në rrjete sociale, familja dhe avokati e kanë cilësuar këtë deklaratë të Sveçlës si të pa matur dhe joprofesionale.

Ata e kanë ftuar Prokurorin e Shtetit që të reagoj ndaj një deklarate të tillë dhe “të mos lejoj që cilësia e hetimeve të ndikohet nga deklarimet politike të zyrtarëve shtetëror apo cilitdo person tjetër”.

Ndryshe, Laura Berisha, motra e ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha, i cili u gjet pa shenja jete në oborr të Doganës në prill të këtij viti, “ua ka zënë rrugën” kryeministrit dhe ministrave të tij, derisa ata po ecnin në sheshin e Prishtinës, më përkrahje të kandidatit të tyre për kryeqytet, dhe ka kërkuar zbardhjen e këtij rasti.

Para kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, kryekuvendarit Glauk Konjufca, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kandidatit të VV’së, për Prishtinën, Aben Vitia, e zyrtarëve tjerë të partisë që gjendeshin aty, ajo ka kërkuar të dijë nëse po punohet për zbardhjen e këtij rasti, që ajo e quajti vrasje.

Laura u ankua se ministri Sveçla nuk e ka pritur në takim, as nuk i ka kthyer përgjigje, megjithëse ka kërkuar disa herë.

“Po ju pyes juve dhe zotëri Sveçlën, vëllai im Luan Berisha zyrtar i lartë në Doganë u vra në oborr të Doganës më 17 prill dhe nuk e kemi asnjë përgjigje deri tash. Kemi kërkuar takim, na keni injoruar dhe nuk kemi asgjë deri tash, dhe desha të ju pyes, a jeni duke e luftuar krimin siç na keni premtuar apo jo”, ka thënë ajo.

Reagimi i plotë:

Reagim nga avokati dhe Familja Berisha me rastin e deklarimit të Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla

Lidhur me deklarimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sfeqla, të regjistruar në edicionin e lajmeve në “Klan Kosova”, më 8 nëntor 2021.

Pasi që motra e të ndjerit Luan Berisha kërkoi nga qeveritarët informacione për vrasjen e vëllait, Ministri Xhelal Sveçla, vetëm pasi ajo u largua i dha sqarim Kryeministrit Kurti duke i thënë se “Luan Berisha u vetëvra”.

Unë si avokat por edhe familja e të ndjerit Luan Berisha një deklarim të tillë e vlerësojmë të pa matur të dëmshëm dhe joprofesional.

Konsiderojmë se deklarimet e tilla publike të zyrtarëve shtetëror e në veçanti të Ministrit të Punëve të Brendshme, për rastet që janë ende në fazën e hetimeve nuk i kontribuojnë hetimit profesional dhe të pavarur si dhe zbulimit të veprave penale dhe kryesve të tyre.

Deklarimet e tilla vetëm sa e komplikojnë dhe e vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pa ndikuar , veçanërisht kur një Ministër merr guxim për të bërë kualifikimin ligjor të  një vepre. Kjo është kompetencë ekskluzive e organit të akuzës, përkatësisht e prokurorit të rastit. 

Si përfaqësues i familjes ftoj të gjithë, pa dallim, që të përmbahen nga deklarimet lidhur me rastet të cilat janë në fazën e hetimeve për shkak të ndjeshmërisë qe këto raste kanë dhe për shkak të dëmit që mund t’i shkaktojnë familjarëve.

Po ashtu, ftojmë Prokurorin e Shtetit që të reagoj ndaj një deklarate të tillë dhe të mos lejoj që cilësia e hetimeve të ndikohet nga deklarimet politike të zyrtarëve shtetëror apo cilitdo person tjetër.

Mr.Sc “Flakron Sylejmani

Avokat

(Kosova Sot Online)