Bislimi: Vetëvendosje nuk i ka ekspertët për t’i futur turshi

  • A.P /
  • 09 November 2021 - 20:05
Bislimi: Vetëvendosje nuk i ka ekspertët për t’i futur turshi

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se nuk ka rrugë të shpejt drejt BE-së dhe sipas tij për të arritur këtë nevojiten reformat në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në tryezën e “Raporti i BE-së për Kosovën” organizuar nga Instituti Epik dhe Komisioni për Integrime Evropiane, ai ka thënë se vetingu duhet të konsiderohet vetëm si masë e jashtëzakonshme. Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se raporti i progresit i KE-së ka pasaktësi.

Duke folur për raportin e progresit, shefi i Zyrës së BE-së ka thënë se Kosova nuk ka bërë progres në përmbushjen e rekomandimeve për administrimin publik.

“Është e qartë që nuk ka rrugë të shpejtë drejt Bashkimit Evropian, duhet të implementohen reformat për të sjellë rezultate të prekshme, posaçërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, administratë publike efikase dhe rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë ai.

Ndërsa vetingu i paralajmëruar, sipas tij, duhet të konsiderohet vetëm si masë e jashtëzakonshme.

“Ne kemi vërejtur me shqetësim interaksionin në rivlerësimin e gjyqtarëve, vetingu i ashtuquajtur një proces i tillë duhet të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme kur i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat e tjerë për të siguruar integritetin dhe për të gjetur korrupsionin e atyre që janë duke punuar atje. Gjithashtu, duhet të jetë në pajtueshmëri me standardet evropiane dhe këshillat e komisionet e Venedikut. Lufta kundër krimit të organizuar ka pasur progres të limituar duhet të bëhet përpjekje të mëtutjeshme për të ardhur deri te konfiskimet e aseteve”, ka thënë ambasadori i BE-së.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se raporti i progresit përmban pasaktësi dhe sipas tij nuk ka përfshirë shumë prej të arriturave nga qeveria aktuale.

“Dua të prek edhe një pjesë tjetër që ka të bëjë me disa pasaktësi që mbase janë përvjedhur në raportin e progresit. U tha edhe në fillim se raporti i progresit përfshin hapat e ndërmarrë në periudhën tetor 2020 deri tetor 2021, por nëse analizohet me kujdes, shihet në disa raste se absorbimi i informacioneve ka pushuar në qershor të vitit 2021. Do të thotë se raporti nuk ka arritur të ngërthejë në vete zhvillimet deri në momentin e fundit. Ne e kuptojmë që për arsye teknike në disa raste kjo është edhe e pamundur… Për shembull, në raportin e progresit përmendet marrëveshja e 30 shtatorit për targat, që nënkupton se me një angazhim dhe vullnet më të madh kemi mundur të përfshijmë çdo zhvillim deri më 30 shtator, pasi që kemi arritur të fusim në raport edhe një marrëveshje, e cila është negociuar dhe nënshkruar më 1 tetor 2021, kemi pasur mundësinë të rifreskojmë të dhënat edhe të kujdesimi që raporti të përfshijë secilën pjesë të progresit deri më datën 30 shtator”, ka thënë Bislimi.

Për më tepër, ai ka thënë se raporti ka përfshirë gjashtëmujorin e Qeverisë Hoti dhe gjashtëmujorin e parë të Qeverisë Kurti, që sipas tij, është bërë përpjekje për gjetjen e një mesatareje për progresin e arritur.

Megjithatë, ai ka thënë se rekomandimet e raportit janë duke i trajtuar me seriozitetin maksimal dhe do të përmbushin pjesën më të madhe të tyre, përfshirë reformën zgjedhore.

Ndërsa kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rezarta Krasniqi ka thënë se raporti duhet të shërbejë si udhërrëfyes për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Publikimi i raportit të BE-së për Kosovën është një moment i rëndësishëm i reflektimit politik. Raporti duhet të shërbejë si udhërrëfyes për përmirësimin e jetës së qytetarëve, jo pse këtë e kërkon Brukseli apo Berlini, por pasi kjo duhet për të mirën e qytetarëve tanë. Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar ka shtuar projektet për të rritur mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe organeve të tjera në zbatimin e rekomandimeve që burojnë nga raporti i BE-së”, ka thënë ajo.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka adresuar kritika për qeverinë duke thënë se nuk ka arritur të ndajë prioritetet.

“Kjo qeveri nuk ka qenë në gjendje t’i ndajë prioritetet. Ne e kuptojmë që qytetarët kanë votuar më 14 shkurt për të bërë ndryshime, por ky ndryshim do të ishte bërë nëse qeveria do të kuptonte obligimet e saja në raport me Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim. Kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë Miftaraj.

Megi Demolli, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, ka thënë se në bazë të asaj që po monitorojnë, procesi i rekrutimit po rrjedh ngadalë.

“Sa i përket procesit të rekrutimit, më vjen keq të them se deri më tani ajo çka po shohim nuk është në nivel të kënaqshëm. Jemi duke monitoruar procesin e emërimit të Bordit të RTK-së, i cili është duke shkuar shumë ngadalë. Në të njëjtën kohë e kemi një agjenci që fatkeqësisht është jo funksionale – Agjencia Kundër Korrupsionit për më shumë se një muaj prej kur i ka kaluar mandati drejtorit të kësaj agjencie”, ka thënë Demolli.

Derisa u është përgjigjur kritikave të shoqërisë civile, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka emërime politike.

“Emërimi i Demushit është i politizuar. Nëse ky është ekspert i bujqësisë dhe ne e vendosim në bord të KEK-ut, atëherë është i politizuar, nuk është emëruar Demushi pse i ka shkathtësitë që kërkohen, por është emëruar për shkak të bindjeve të tij politike. Nëse ju mund të dokumentoni që ka raste të tilla të emërimeve jo për shkak të aftësive, por duhet ta kuptoni që Lëvizja Vetëvendosje i ka disa ekspertë dhe nuk i ka marrë këta ekspertë për t’i futur turshi, por i ka marrë për t’i avancuar proceset. Gjithkund ku ne mendojmë që ekspertët tanë mund t’i avancojnë proceset, do të jemi të lumtur nëse mundemi t’i përdorim në atë drejtim, por kjo nuk hyn në kategorinë e emërimeve politike”, ka thënë Bislimi.

Ndërsa drejtori i Instituti Epik, Demush Shasha ka thënë se Kosova është e fundit sa u përket kapitujve të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, sikurse janë sundimi i ligjit, arsimi, shkenca dhe mjedisi.

“Kapitujt ne të cilët Kosova është më së paku e përgatitur për të marrë obligimet që burojnë nga anëtarësimi janë mjedisi, shëndetësia, shkenca dhe arsimi, sundimi i ligjit dhe politikat e punësimit. Në fund, dua të ju lë me dy mesazhe kryesore, mesazhi i parë është sa i përket 38 deri 68 vjet para nesh, për shumë kënd ky mund të jetë një skenar pesimist, dhe është, por në fakt ky mund të jetë një nga ato raste kur pyetja është a e shohim gotën gjysmë të plotë apo gjysmë të zbrazët. Nëse na nevojiten 38 vjet për t’u përgatitur për të qenë anëtar i BE-së me kaq pak vullnet politik të demonstruar, atëherë imagjinoni se sa më shpejt mund të shkojmë nëse kemi vullnet të sinqertë politik për reformat evropiane. Shumë lehtë kjo kohë mund të përgjysmohet”, ka thënë Shasha.

Ai ka theksuar nevojën që Kosova të shënojë progres të ndjeshëm duke thënë se të arriturat drejt BE-së varen nga angazhimi i Kosovës.

Ndryshe, në raportin e progresit të KE-së për Kosovën theksohet, se integrimi drejt BE-së ka ngecur për shkak të situatës së paqëndrueshme politike si pasojë e zgjedhjeve të parakohshme dhe pandemisë.

Pak përparime janë bërë në Kosovë në drejtim të reformave që lidhen me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, theksohet në Raportin e Progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dy faktorë kryesorë përmenden në raport, situata e paqëndrueshme politike si pasojë e zgjedhjeve të shpeshta të parakohshme dhe pandemia e Covid-19.

Për sistemin e drejtësisë në Kosovë raporti thekson se reformimi vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefikas dhe i cenueshëm nga ndikimi politik.

“Kosova ka bërë përparim të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar por duhet shtuar përpjekjet për hetime më aktive, vendime përfundimtare gjyqësore dhe konfiskim përfundimtar të pasurive të paligjshme”.

Në raport theksohet qartë, se “Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit” posaçërisht në lidhje me rehabilitimin dhe ri-integrimin e familjarëve të luftëtarëve terroristë që morën pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme”.

Si edhe në vitet e mëparshme, prej vitit 2018, në raportin e progresit përmendet se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por, një gjë e tillë akoma nuk po ndodh.

Qeveria e Kosovës nga ana e saj, nuk ka kundërshtuar asnjë konkluzion të raportit të progresit.

Kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se qeveria e tij tashmë po bën përpjekje të pandalura që të përmirësojë situatën në fushën e sundimit të ligjit.

Raporti i progresit është publikuar më 19 tetor të këtij viti, kur edhe i është dorëzuar kryeministrit Kurti.

(Kosova Sot Online)