Serbët ngrihen kundër muralit të Ratko Mlladiqit, Vuçiq e mbron me xhandarmëri

  • A.P /
  • 09 November 2021 - 21:28
Serbët ngrihen kundër muralit të Ratko Mlladiqit, Vuçiq e mbron me xhandarmëri

Shumë qytetarë serbë janë mbledhur para një murali të kriminelit të dënuar për gjenocid, Ratko Mlladiq në Beograd. Murali tani po mbrohet nga ana e xhandarmërisë serbe, ndërkohë që disa orë më parë u sulmua aktivistja Aida Çoroviq, pasi ajo hodhi vezë mbi një mural me imazhin e kriminelit Mlladiq.

“Xhandarmëria ia mban grafitin kriminelit të luftës dhe nuk na lejon të kalojmë ne qytetarët”, shkruan aktivisti Marko Mihailoviq në Twitter dhe tregon pamjet e policëve serbë që janë mbledhur aty.

Shumë aktivistë janë mbledhur në kryeqytetin e Serbisë për të protestuar ndaj arrestimit të Aida Çoroviq.

Shkrimtari serb, Vladimir Arsenijeviq ishte dëshmitar i sulmit ndaj aktivistes Aida Çoroviq, pasi ajo hodhi vezë mbi një mural me imazhin e kriminelit serb, Ratko Mlladiq në Beograd. Ajo u arrestua nga policisë me rroba civile, shkruan Al Jazeera.

“I gjithë shteti i Serbisë, me fuqinë e tij, e ka sulmuar një grua në moshë, gjë që është anormale, dhe unë thjesht u përpoqa ta mbroj atë nga ata”, tha Arsenijeviq.

Shpresë për të ardhmen

Protestat ndaj muralit të kriminelit Ratko Mlladiq po shihen si shpresëdhënëse nga ana e ekspertit të sigurisë njëherit ish-zyrtarit të NATO-s, Robert Pszczel.

Ai ka thënë në Twitter se nderimi i kriminelëve të luftës nuk do i bëjë mirë Serbisë në rrugën drejt një të ardhme më të mirë.

“Mural i turpshëm: nderimi i një krimineli lufte nuk do ta ndihmojë Serbinë të ndërtojë një të ardhme më të mirë. Më vjen mirë kur shoh se kaq shumë njerëz në Beograd kanë vendosur të protestojnë kundër tij”, shkroi ai.

Kujtojmë se në Serbi dhe Republikën Srpska të Bosnjës ka shumë murale të ish-kriminelit Mlladiq. Po ashtu, shumë njerëz në Serbi, përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, nuk e pranojnë se në luftërat e ish-Jugosllavisë ka pasur gjenocid nga ana e serbëve ndaj popujve tjerë.

Vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte përuruar një rrugë me emrin e Mlladiqit në Beograd në kohën sa ishte në opozitë.

Një mural i Mlladiqit gjendet edhe në veri të Kosovës.

(Kosova Sot Online)