Në vendngjarje u gjet edhe marihuanë, detaje të reja nga vrasja në Gjilan

  • E.K /
  • 10 November 2021 - 10:13
Në vendngjarje u gjet edhe marihuanë, detaje të reja nga vrasja në Gjilan

Një vrasje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen “Arbëria” në Gjilan. Policia ka arrestuar deri më tani pesë persona të dyshuar. Ndërkaq në një njoftim të ri, policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes është gjetur substancë e dyshuar narkotike, e llojit marihuanë.

Një 21-vjeçar nga Gjilani mbeti i vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, të hënën në Gjilan.

Në këtë incident mbeti i plagosur edhe një i ri tjetër, i cil pas ndihmës mjekësore u dërgua në mbajtje. Përveç tij, janë arrestuar edhe katër persona tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në rastin e vrasjes së 21-vjeçarit, të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Për vrasjen që tronditi Gjilanin, Policia e Kosovës ka dal me detaje shtesë.

Përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe substancë e dyshuar narkotike, e llojit marihuanë.

Atje është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

“VRASJE E RËNDË – Gjilan, 08.11.2021 – 20:40.  Në lidhje me rastin, është raportuar se me 09.11.2021 është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka qenë pjesëmarrës në vepër, po ashtu dhe i dyshuari i cili ka qenë duke u trajtuar është intervistuar. Ndërsa në vendin e ngjarjes,  është gjetur sasi substancës e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, në peshë 10.5 gram dhe një pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, në total të arrestuar për këtë rast janë pesë persona”, ka bërë të ditur policia.

Express të martën ka qëndruar në lagjen “Arbëria” në Gjilan, nga ku ka sjellë detaje lidhur me vrasjen e të riut.

Një ditë pas tragjedisë, kjo lagje frekuentohej nga shumë njerëz të cilët vinin për kryeshnosh. Familjarë të viktimës thanë se nuk i dinë arsyet sesi erdhi vrasja, por pohuan se 21-vjeçari i ka vdekur babait në duar.

“Ngjarja ka ndodh shumë afër shtëpisë së tij, babai i djalit i ka dëgju krismat që kanë gjujt nga një veturë e tipit Golf II, ka dal babai edhe e ka pa djalin shtritë në tokë, i ka vdek në krah babës së tij”, tha një familjar i viktimës.

I pyetur se cila ishte arsyeja pse 21-vjeçari kishte dalë nga shtëpia, familjari i viktimës tha “Ka pas me shku te axha i tij”.

Familjarët e tij pohuan se nuk kanë qenë në dijeni se i riu ka pasur mosmarrëveshje me dikë dhe se nuk e njohin grupin e të rinjve që u përleshën me armë zjarri.

Familjarët thanë se Egzon Rafuna ishte fëmija i vetëm i familjes dhe lindja e tij kishte ndodhur pas 12 vitesh martesë.

Gazeta Express ka biseduar edhe me familjen e Valdrin Halimit në fshatin Pogragjë të Gjilanit, i cili është plagosur mbrëmë, por familja nuk ka pranuar të prononcohet për media.

Familja ka konfirmuar se 29-vjeçari i plagosur është në gjendje të mirë shëndetësore.

(Kosova Sot Online)