Shtyhet gjykimi për keqpërdorimet me subvencione në Gjilan

  • E.K /
  • 10 November 2021 - 11:11
Shtyhet gjykimi për keqpërdorimet me subvencione në Gjilan

Në mungesë të antarit të trupit gjykues, gjyqtarit Veli Kryeziu është shtyer gjykimi ndaj të akuzuarit Zvonko Petroviq që akuzohet për veprën penale keqpërdorim i autoritetit zyrtar  si dhe ndaj të akuzuarit Bojan Trajkoviq për mashtrimit me subvencione.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Maliqi ka njoftuar palët se antari i trupit gjykues, gjyqtari Veli Kryeziu mungon për shkaqe shëndetësore andaj nuk mund të vazhdohet me seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të pranishëm në shqyrtimin gjyqësorë kanë qenë, prokurori, Shaban Spahiu, mbrojtësi i të akuzuarit  Zvonko Petroviq, avokati Ilmi Qerimi, mbrojtësi i të akuzuarit Bojan Trajkoviq, avokati Arsim Vranovci, i dëmtuari Vllastimir Stajiq, dëshmitari Bekim Avdia si dhe eksperti Brahim Tahihri.

Seanca e rradhës është caktuar me datën 1 dhejtor të këtij viti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 22 prill 2021, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Zvonko Petroviq, sepse dyshohet se nga viti 2015 e deri më 21 korrik 2020, në vazhdimësi, në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjilan, si person zyrtar, në cilësinë e zyrtarit për vlerësimin dhe verifikimin e aplikacioneve pranë Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Gjilanit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe të pandehurin Bojan Trajkoviq, përfitues i subvencioneve për të mbjella me grurë si dhe shkaktimit të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që nuk iu ka përmbajtur kritereve dhe vlerësimit të dokumentacionit, pasi që i pandehuri Bojan Trajkoviq nuk ka plotësuar kushtet dhe kriteret për fitimin e subvencioneve për të mbjellat me grurë.

Kësisoj, sipas aktakuzës, i ka mundësuar përfitimin e kundërligjshëm edhe atë për vitin 2015 shumën prej 363.00 euro, për vitin 2016 shumën prej 397.50 euro, për vitin 2017 shumën prej 397.50 euro, për vitin 2018 shumën prej 465.00 euro, për vitin 2019 shumën prej 465.00 euro dhe për vitin 2020 shumën prej 819 euro, në vlerë të përgjithshme 2.907,00 euro, për të cilën shumë ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, i pandehuri Bojan Trajkoviq nga viti 2015, deri në fund të vitit 2020, në vazhdimësi, në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjilan, në cilësinë e fermerit, ka aplikuar për marrjen e subvencionit për mbjelljen e grurit, në atë mënyrë që ka paraqitur të dhëna të pasakta dhe jo të plota, të cilat kanë qenë kusht për aprovim dhe atë për ngastrat kadastrale të cilat kanë qenë në emër të prindit të tij dhe gjyshit të tij, nuk ka ofruar dëshmi për shfrytëzimin e këtyre ngastrave kadastrale, si dhe pa dijeninë e të dëmtuarit Vllastimir Stajiq, ngastrën kadastrale në vendin e quajtur “Ogranxha” me sipërfaqe prej 190m2, kishte aplikuar për marrjen e subvencionit, ashtu që nga këto të dhëna, në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar nga subvencionet dhe atë për vitin 2015 shumën prej 363.00 euro, për vitin 2016 shumën prej 397.50 euro, për vitin 2017 shumën prej 397.50 euro, për vitin 2018 shumën prej 465.00 euro, për vitin 2019 shumën prej 465.00 euro dhe për vitin 2020 shumën prej 819 euro, në vlerë të përgjithshme 2.907,00 euro, për të cilën shumë ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “mashtrim me subvencione”, nga neni 336 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet. /BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)