Rrëfimi i 54-vjeçarit që jeton afër tymtarëve të Obiliqit për pasojat shëndetësore

  • G.G /
  • 11 November 2021 - 07:40
Rrëfimi i 54-vjeçarit që jeton afër tymtarëve të Obiliqit për pasojat shëndetësore

Ndotja e mjedisit është ndër kërcënimet kryesore për shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Institucionet ende nuk kanë gjetur një përgjigje efektive për të parandaluar ndotjen e ajrit dhe mjedisit. Kjo ka lënë pasoja shëndetësore te qytetarët si Nexhat Restelica, që jeton afër tymtarëve të Termocentralit “Kosova A”.

Nexhat Restelica, 54-vjeç, jeton në fshatin Kryshevc të Obiliqit. Ai është rritur në këtë vend, që është afër ndotësit më të madh të ajrit në Kosovë, Termocentralit “Kosova A”.

Ka më shumë se dhjetë vjet që jeton i vetëm në këtë shtëpi. Ai thotë se viteve të fundit është duke u përballur me probleme shëndetësore, që siç thotë ai, mjekët kanë konstatuar se i janë shkaktuar nga ajri i ndotur.

“Antibiotikë, vitamina që të forcohem, ja Prokulini (ilaç) që duhet ta përdor për syrin e djathtë. Të gjitha këto duhet t’i paguaj unë, kjo është më e keqja. Përkundër që jam i papunë, e dëshmoj me dokumente në ambulantë në Obiliq, sërish duhet t’i paguaj dy euro për të hyrë në kontroll”, thotë Restelica.

Ai thotë se e ka të vështirë që t’i paguajë ilaçet pasi është i papunë që 20 vjet. E vetmja punë që ai bën kohë pas kohe është puna fizike.

Telashe shëndetësore nga ndotja e ajrit kanë shumë qytetarë në Kosovë. Në një raport të Bankës Botërore, në vitin 2019, u tha se ndotja e ajrit çdo vit vret rreth 760 qytetarë të Kosovës.

(Kosova Sot Online)