Von der Leyen: Do t’i zgjerojmë sanksionet kundër Bjellorusisë

  • G.G /
  • 11 November 2021 - 09:44
Von der Leyen: Do t’i zgjerojmë sanksionet kundër Bjellorusisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se Bashkimi Evropian do t’i zgjerojë sanksionet kundër Bjellorusisë. Masat ndëshkuese do të jenë kundër individëve dhe entiteteve.

Duke folur pas takimit me Presidentin e ShBA-së, Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë, Von der Leyen tha se gjendja në kufirin mes Bjellorusisë e Polonisë nuk është krizë me emigrantë, por një përpjekje boshe e “regjimit autoritar” të Minskut për t’i destabilizuar vendet fqinje.

Polonia dhe Bashkimi Evropian e kanë akuzuar Bjellorusinë se qëllimisht po i dërgon emigrantët drejt kufirit lindor të BE-së si hakmarrje ndaj sanksioneve që i janë vendosur.

Varshava madje e ka akuzuar edhe presidentin rus se qëndron prapa këtij skenari. Rusia, në anën tjetër, ka dërguar aeroplanë luftarakë në qiellin e Bjellorusisë pas rritjes së tensioneve. Polonia ka paralajmëruar për rrezikun e konfiktit të armatosur.

Autoritetet polake kanë thënë se dy grupe emigrantësh kanë arritur ta kalojnë kufirin, por të gjithë janë ndaluar më vonë. Shumë prej tyre synojnë të shkojnë në Gjermani për një jetë më të mirë.

(Kosova Sot Online)