Pas rritjes së rasteve me Covid, Holanda përgatitet për bllokim të pjesshëm

  • G.G /
  • 11 November 2021 - 12:21
Pas rritjes së rasteve me Covid, Holanda përgatitet për bllokim të pjesshëm

Pas bllokimit të pjesshëm gjatë verës në Europën Perëndimore, ekspertë kanë sugjeruar se vendi i radhës që do të vendosë një bllokim të pjesshëm është Holanda pas rritjes së vazhdueshme të rasteve.

Komiteti i ekspertëve për menaxhimin e pandemisë i rekomandoi qeverisë holandeze të vendosë një bllokim të pjesshëm, duke ushtruar presion ndaj qeverisë për të marrë masa drastike për të përballuar përhapjen e pandemisë. Kryeministri në detyrë i Holandës Mark Rutte pritet të marrë një vendim për masat e reja të premten.

Masat në shqyrtim përfshijnë anulimin e evenimenteve, mbylljen e kinemave dhe teatrove dhe kufizimin e orarit të hapjes së kafeneve dhe restoranteve, raportoi NOS. Shkollat do të qëndrojnë të hapura. Vendosja e masave të reja është diçka që shumë vende të zhvilluara nuk e kanë marrë parasysh pas nisjes së fushatës së imunizimit kundër Covid-19, pavarësisht se në shumë zona ka një rritje të rasteve.

Vende të tilla si Britania mbështeten në dozat përforcuese të vaksinës për të rritur imunitetin e tufës dhe për të parandaluar kolapsin e sistemeve të tyre shëndetësore gjatë dimrit. Deri më tani, Holanda ka ofruar doza përforcuese vetëm për personat me imunitet të dobët. Pavarësisht se shkalla e vaksinimit kundër Covid-19 tek të rriturit është afër 85%, spitalet në disa zona të Holandës janë detyruar të kufizojnë shërbimet e tjera për t’u kujdesur për pacientët me Covid-19.

Javën e kaluar, autoritetet në Holandë rivendosën përdorimin e detyrueshëm të maskave. Instituti Holandez për Shëndetin (RIVM) njoftoi të martën se numri i rasteve javore ishte rritur me 45% në 76,790, më shumë se 400 raste për 100,000 banorë. 

(Kosova Sot Online)