Perëndimi përplaset me Rusinë në OKB për krizën në Bjellorusi

  • G.G /
  • 12 November 2021 - 11:26
Perëndimi përplaset me Rusinë në OKB për krizën në Bjellorusi

Fuqitë perëndimore dhe disa shtete më të vogla evropiane janë përplasur me Rusinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për krizën me emigrantë në Bjellorusi.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Norvegjia, Irlanda dhe Estonia e ngritën çështjen e krizës me emigrantë gjatë takimit me dyer të mbyllura të organit me 15 shtete anëtare, shkruan France24.

“Ne e dënojmë instrumentalizimin e orkestruar të qenieve njerëzore, jeta dhe mirëqenia e të cilave është vënë në rrezik për qëllime politike nga Bjellorusia, me qëllimin që të destabilizohen shtetet fqinje dhe kufiri i jashtëm i Bashkimit Evropian dhe që të largohet vëmendja nga shkeljet në rritje të të drejtave të njeriut në atë shtet”, thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve perëndimore.

Bjellorusia ka paralajmëruar se kriza mund të eskalojë në përleshje ushtarake, përderisa Lituania, Estonia dhe Letonia kanë thënë se Bjellorusia përbën rrezik serioz për sigurinë evropiane.

Zëvendësambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, u tha gazetarëve para takimit të Këshillit të Sigurimit se ai beson që kolegët e tij perëndimorë në këtë organ “kanë një lloj të prirjeve mazohiste, sepse, për të ngritur një temë, që është turp i plotë për BE-në, para nesh do të ishte shumë e guximshme”.

I pyetur nëse Rusia apo Bjellorusia po ofrojnë ndihmë për lëvizjen e emigrantëve në drejtim të kufirit me Poloninë, Polyanskiy tha: “Jo, absolutisht jo.” Ai shtoi se nuk duhet që të gjitha problemet të trajtohen nga Këshilli i Sigurimit.

Ndryshe, Rusia e ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit dhe mund t’i bllokojë përpjekjet e mundshme të anëtareve tjera për t’i vendosur sanksione Bjellorusisë nga OKB-ja.

(Kosova Sot Online)