Gjermania e kërcënon Bosnjën me masa pas thirrjeve për ndarje, fajëson Dodikun

  • E.K /
  • 12 November 2021 - 16:11
Gjermania e kërcënon Bosnjën me masa pas thirrjeve për ndarje, fajëson Dodikun

Gjermania të premten e kërcënoi Bosnjën me ndërprerje të ndihmave financiare, duke i cilësuar të papërgjegjshme dhe të papranueshme thirrjet që një pjesë e Bosnjës të ndahet dhe duke e quajtur udhëheqësin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, fajtor të posaçëm.

“Ne nuk do të mund ta pranojmë vazhdimësinë e kësaj politike të papërgjegjshme pa marrë masa”, tha ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, për faqen boshnjake të lajmeve, politicki.ba.

“Gjermania është përkrahësja më e madhe dypalëshe e Bosnjës e Hercegovinës, por është e qartë: ne nuk mundemi dhe nuk do t’i fusim të hollat e taksapaguesve gjermanë në një entitet që është duke punuar në mënyrë aktive për ta shkatërruar Bosnjën e Hercegovinën si shtet të plotë”, shtoi ai.

Kryediplomati gjerman gjithashtu tha se vendi i tij “do të mendojë për masa individuale kundër atyre që e vënë në pikëpyetje integritetin territorial të Bosnjës”, duke shtuar se Berlini është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse, tha se situata në Bosnjë do të diskutohet nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian të hënën.

“Thirrjet për ndarje dhe për hapa për dobësimin e shtetit të plotë, sidomos nga Republika Srpska dhe nga Milorad Dodiku, anëtari serb i presidencës me tre anëtarë, janë tërësisht të papërgjegjshme dhe të papranueshme”, tha Sasse.

(Kosova Sot Online)