Avokati i Populit viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë, përveç Mustafës

  • A.P /
  • 15 November 2021 - 16:53
Avokati i Populit viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë, përveç Mustafës

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, gjatë kësaj jave ka vizituar ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Qelaj ka zhvilluar takime individuale me të gjithë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjenden në paraburgim në Hagë, ku Qelaj qëndroi për tri ditë radhazi.

Ai është takuar me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, ndërsa nuk ka pasur mundësi të takohet me Salih Mustafën, të cilit aktualisht i janë ndaluar vizitat përveç një numri të ngushtë të personave.

Qelaj ka takuar individualisht edhe ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Avokati i Popullit është takuar edhe me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trandafilova.

“Z. Qelaj u takua edhe me kryetaren e Dhomave të Specializuara, znj. Ekaterina Trandafilova dhe bashkëpunëtorët e saj, si dhe u njoftua për ecurinë e gjykimit, si dhe për respektimin e të drejtave të të paraburgosurve në procese gjyqësore, të garantuara me standarde ndërkombëtare për të drejtat themelore të të burgosurve, Kushtetuta dhe ligjet e tjera të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas Avokatit të Popullit, qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me situatën në lidhje me një gjykim të drejtë, respektimin e të drejtave themelore në paraburgim të garantuara me standardet ndërkombetare për të drejtat e burgosurve dhe me Kushtetuten e ligjet e Kosovës.

(Kosova Sot Online)