A do të shkoj Kurti në ShBA siç paralajmëroi në shtator?

  • E.K /
  • 16 November 2021 - 13:09
A do të shkoj Kurti në ShBA siç paralajmëroi në shtator?

Kryeministri Albin Kurti nuk ka treguar nëse do të shkojë këtë muaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç pati paralajmëruar në një seancë të Kuvendit të Kosovës në shtator.

Kurti tha se nuk ka asnjë mospajtim ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, se partneriteti është i fuqishëm dhe se ai nuk mund të lëkundet nga ndonjë, siç tha ai, keqinterpretim të ndonjë deklarate të ndokujt.

“Unë do t’ju njoftoj kur ta kem vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo ne bashkë me presidenten dhe kryeparlamentarin rregullisht koordinohemi për këtë gjë. Nuk ka asnjë mospajtim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së. Aleanca dhe partneriteti ynë është i fortë e i fuqishëm dhe nuk lëkundet nga çfarëdo keqinterpretimi që mund t’i bëhet ndonjë deklarate të ndokujt”, tha Kurti.

Ai foli edhe për Samitin për Demokraci, që do ta organizojë presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe për ftesën që Kosova e mori për të marrë pjesë në këtë ngjarje.

“Ka pasur mbase njëfarë moskuptimi lidhur me atë Samitin e Demokracive. Në njërën anë, për shkak se ftesa për atë Samit nuk është vlerësim e as pikëpamje e SHBA-së dhe këtë e ka sqaruar ambasada këtu”, tha Kurti.

Sipas tij, nuk do të ndryshonte asgjë, edhe sikur SHBA-ja të mos e ftonte Kosovën në këtë samit.

“Pra, lidhja midis Republikës së Kosovës dhe SHBA-së nuk varet për një pe. Është shumë e fuqishme, spese në njëfarë mënyre, duke e vënë vazhdimisht në diskutim është një lloj moskuptimi i madh, sepse po shpërfaqet njëfarë druajtje thuajse kjo lidhje është shumë e dobët e mund të shkëputet kollaj. Nuk është ashtu. Ftesa shumë mirë që erdhi, por edhe po të mos ndodhte kjo ftesë, nuk thotë gjë për aleancën dhe partneritetin tonë”, tha Kurti.

Në vendimin e SHBA-së për ta ftuar Kosovën për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, Kurti përmendi disa faktorë që mund të kenë ndikuar, ndërsa theksoi vizitën e presidentes Vjosa Osmani në SHBA.

“Besoj që kanë ndikuar disa faktorë. Reagimi i të gjithë akterëve politikë, edhe i dashamirëve tanë në SHBA, e natyrisht sidomos edhe vizita e presidentes tonë atje dhe takimet të cilat ajo i ka pasur me zyrtarët amerikanë të të gjitha niveleve”, tha Kurti.

Më 20 shtator, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve në seancën e Kuvendit se pse nuk ka shkuar në Asamblenë e Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), kryeministri Kurti tha se nuk ka pasur synim të shkonte atje, rrjedhimisht edhe s’ka aplikuar për vizë.

“Mirëpo, në SHBA do të udhëtoj në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë”, kishte thënë kryeministri.

(Kosova Sot Online)