Oda Ekonomike Serbe pagoi Grenellin e Palmerin për lobim në SHBA?

  • G.G /
  • 16 November 2021 - 13:29
Oda Ekonomike Serbe pagoi Grenellin e Palmerin për lobim në SHBA?

Për tre vite lobim në SHBA, Oda Ekonomike e Serbisë (PKS) i ka paguar 1.3 milion dollarë kompanisë “Yorktown Solutions LLC”, dhe deri në fund të vitit 2022 do të ndajë edhe gjysmë milioni dollarë për shërbimet e saj, sipas të dhënave të marra nga gazeta e pavarur serbe “Nova”.

Në listën e kontakteve, të cilat kompania lobuese i raportoi për Serbinë, përfshihet edhe Richard Grenell, i dërguari special i atëhershëm i presidentit amerikan Donald Trump për Serbinë dhe Kosovën, dhe Matthew Palmer, në atë kohë përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor

Në regjistrin zyrtar amerikan FARA, në të cilin janë regjistruar të gjithë lobistët nga SHBA dhe janë publikuar kontratat e tyre, nuk ka asnjë informacion se Qeveria e Serbisë ka bërë marrëveshje me një shtëpi lobimi në atë vend.

Mirëpo, këtë e ka bërë Oda Ekonomike e Serbisë, e cila ka lidhur disa kontrata me kompaninë “Yorktown Solutions” për vitet 2019, 2020, 2021 dhe 2022. E fundit është nënshkruar vetëm tetë ditë më parë.

Sipas dokumentit, kompania është e obliguar të ofrojë “këshilla strategjike në lidhje me temat e trajtuara nga PKS-ja, të cilat ndikojnë në marrëdhëniet ekonomike SHBA-Serbi”.

Ajo përfshin, siç thuhet më tej, “çështjet e menaxhimit dhe punët e qeverisë, të cilat pritet të përfshijnë kontakte me zyrtarë të qeverisë amerikane dhe përfaqësues të sektorit privat përkatës”.

Ditë më parë u tha se Grenelli paguhet nga 100 mijë euro në muaj për të lobuar në emër të qeverisë serbe. Kjo deklaratë u citua të ishte thënë nga analisti politik serb, Dushan Janjiq, por që mbrëmë, në një paraqitje në KTV-në, ai e mohoi këtë. Ai tha se deklarata e tij është keqinterpretuar.

Edhe vetë Grenelli e mohoi një pretendim të tillë. 

(Kosova Sot Online)