Von Cramon: KE po e komprometon sundimin e ligjit në interes të boshtit Orban-Vuçiq

  • A.P /
  • 16 November 2021 - 16:03
Von Cramon: KE po e komprometon sundimin e ligjit në interes të boshtit Orban-Vuçiq

Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Serbinë është shembull i qartë se si standardet e sundimit të ligjit mund të komprometohen nën komisionerin që përfaqëson ideologjinë e (kryeministrit hungarez) Viktor Orban, theksoi eurodeputetja e të Gjelbërve dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel.

Në një tekst autorial për EURACTIV, anëtarja e Komitetit për Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe anëtarja e delegacionit të BE-së në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimin shkruan se të Gjelbrit, që kur Komisioni Evropian i udhëhequr nga Ursula von der Leyen mori detyrën, kanë paralajmëruar se Komisioneri për Zgjedhim, Oliver Varheyi është “njeriu i gabuar në vendin e gabuar”.

“Dikush i emëruar nga një qeveri që shkel sundimin e ligjit dhe demokracinë nuk mund të jetë shembull i mirë për vende si Mali i Zi, Serbia apo Shqipëria, të cilat po luftojnë me tranzicionin e tyre demokratik”, thekson eurodeputetja.

Von Cramon tha se shenjat e para të politizimit, në vend të paanshmërisë, u panë në fillim të mandatit të Oliver Varheyit, por se “më e keqja” ndodhi kur u prezantua paketa e zgjerimit 2021 për përparimin e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së”.

“Komisioni ka shkuar zyrtarisht nën standardet e tij dhe nën standardet evropiane duke lehtësuar raportin për Serbinë për vitin 2021, veçanërisht për standardet e sundimit të ligjit”, ka shkruar Von Cramon.

Ajo iu referua ndryshimeve në Kushtetutë, të cilat ndër të tjera përmbajnë ndryshime në përbërjen e Këshillit Shtetëror të Prokurorëve, i cili zgjedh prokurorët.

Siç tha ajo, Komisioni në raportin për gjyqësorin e Serbisë të vitit 2014 theksoi se prokurorët duhet të bëjnë së paku 50% të Dhomës për të shmangur politizimin e emërimit të prokurorëve.

“Megjithatë, shtatë vjet më vonë, Komisioni e mirëpriti propozimin e amendamenteve kushtetuese që parashikojnë që nga 11 anëtarë të Këshillit Shtetëror të Prokurorëve, vetëm pesë të jenë prokurorë”, theksoi deputetja e Parlamentit Evropian.

Më tej ajo tha se vetëm një ditë para prezantimit të raportit të progresit të Komisionit, Komisioni i Venecias publikoi një opinion në të cilin kritikonte një zgjidhje të tillë dhe rekomandonte shprehimisht, ndër të tjera, që gjashtë nga 11 anëtarët e Këshillit të jenë prokurorë.

“Është një shembull i qartë se si Komisioni Evropian u politizua në interes të boshtit Orban-Vuçiq dhe se si standardet e shtetit të së drejtës mund të komprometohen nën mbikëqyrjen e Komisionit”, theksoi Von Cramon, transmeton Express.

Ajo më tej ka shkruar se, duke supozuar se nuk mund t’u besohet plotësisht vlerësimeve për sundimin e ligjit në Serbi, kjo do të thotë se e gjithë pakoja e zgjerimit është e pabesueshme.

“Është gjithashtu një shembull se pse vlerësimi i përgjithshëm i Komisionit, veçanërisht për Serbinë dhe ndoshta disa vende të tjera, nuk mund të jetë burim i besueshëm dhe për këtë arsye rekomandimi për hapjen e kapitujve të rinj nuk qëndron”, tha eurodeputetja.

Von Cramon shkruan më tej se opozita serbe, organizatat joqeveritare dhe mediat e pavarura janë nën presion të madh nga regjimi i Vuçiqit dhe pretendojnë se qëndrimi politik për vlerësimet pozitive nga raporti “mund të jenë gozhda e fundit në arkivolin e integrimit evropian të Serbisë”.

Sipas saj, BE-ja duhet ta rifitojë besueshmërinë duke aplikuar kushte strikte dhe vlerësim të drejtë dhe jo vetëm duke pretenduar se e bën këtë. Niveli i kapjes së institucioneve gjithashtu duhet të shqyrtohet tërësisht dhe t’i rikthehet integriteti Komisionit.

“Nuk duhet të ketë kompromis për sundimin e ligjit në Budapest apo Beograd. Është çështje e integritetit të Komisionit Evropian në Ballkanin Perëndimor dhe në BE”, përfundoi Viola von Cramon.


(Kosova Sot Online)