Krasniqi premton se do ta funksionalizojë “qeverinë nën hije”

  • A.P /
  • 16 November 2021 - 22:05
Krasniqi premton se do ta funksionalizojë “qeverinë nën hije”

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka premtuar se do ta formojë “qeverinë nën hije”, model i cili ishte formuar për herë të parë nga kjo parti gjatë viteve 2005-2007

Krasniqi gjithashtu tregoi se PDK-ja modelin anglez të “qeverisë nën hije” e ka në statutin e saj, atëherë kur partia është në opozitë.

“Ajo që duhet të ndodhë dhe unë e kam shumë me rendësi ta bëj në muajt e ardhshëm është me i dhanë një frymë të re opozitarizmit në Kosovë. Pra, do ta bëjmë ‘qeverinë nën hije’ modelin anglez që e kemi pasur gjatë viteve 2005-2007, kjo është e paraparë me statutin e PDK-së kur partia është në opozitë”, është shprehur Krasniqi.

Tutje, ai premtoi se do ta funksionalizojë edhe institutin e PDK-së, si institut të afërt me partinë, por jo të brendshëm.

“Do të ketë edhe njerëz të ri, që do të bashkohen me PDK-në, që do ta ruajnë autonominë e tyre brenda këtij koncepti. E kam shumë më rendësi ta funksionalizoj edhe institutin e PDK-së, që s’do të funksionoj si institut i brendshëm, por që do të jetë afër PDK-së”, shtoi Krasniqi.

“Qeveria nën hije” është një qeveri paralele përmes së cilës opozita tenton të tregojë të metat e qeverisë në pushtet dhe të vërtetojë se vlen më shumë se ajo.

Këtë model PDK-ja e pati funksionalizuar gjatë viteve 2005-2007. E pastaj në zgjedhjet e radhës, PDK-ja doli e para. Shumë analistë politikë konsiderojnë se arsyeja e fitores së PDK-së më 2007 janë pikërisht veprimet e “qeverisë nën hije”, përmes së cilës partia e fitoi besimin e qytetarit.

(Kosova Sot Online)