Vrasja e shokut për 77 mijë euro borxh, gruaja e të ndjerit: I thashë mos shko se po të bën tradhti

  • E.K /
  • 17 November 2021 - 09:05
Vrasja e shokut për 77 mijë euro borxh, gruaja e të ndjerit: I thashë mos shko se po të bën tradhti

Bashkëshortja e tani të ndjerit Mentor Zekaj, Mirjeta Zekaj tha se 86 mijë euro ka qenë shuma e të hollave, të cilat sipas saj, tani i ndjeri ia kishte dhënë mikut të tij, tani të akuzuarit për vrasjen e tij,  Kreshnik Haliti.

Një deklaratë të tillë, bashkëshortja e tani të ndjerit Zekaj, në cilësinë e të dëmtuarës e ka dhënë të martën para trupit të ri gjykues gjatë procesit të rigjykimit në Gjykatën Themelore në Pejë.

Haliti akuzohet nga Prokuroria e Pejës se privoi nga jeta Mentor Zekajn, për shkak të një borxhi prej afro 77 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këto para, i ndjeri Zekaj sipas të dëmtuarës ia kishte dhënë të akuzuarit, pasi ky i fundit ishte kërcënuar me jetë nga disa persona.

“I pandehuri ka ardhë në shtëpinë tonë vetëm kur i ka marrë të hollat. Aty kam qenë unë, burri im dhe vajza e dytë”, shtoi e dëmtuara Zekaj.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Lumturije Vuqetaj, e dëmtuara tha se nuk i kujtohej lartësia e shumës që bashkëshorti i saj ia kishte dhënë të pandehurit, mirëpo më pas konstatoi se ajo shumë ishte 86 mijë euro.

“Këta kanë përpiluar kontratë, kurse unë s’jam përzi. Unë kam qenë në shtëpi kur janë dhënë të hollat. Të hollat janë dhënë kesh”, shtoi e dëmtuara.

E njëjta sqaroi për trupin gjykues se i pandehuri Haliti kishte qenë në dijeni se bashkëshorti i saj posedonte këtë shumë të parave.

“Ky e ka ditë se e kemi blerë një shtëpi dhe kemi mbledhë të holla për pagesën e shtëpisë, sepse tërë familja ishte e angazhuar në blerjen e shtëpisë”, deklaroi e dëmtuara Zekaj.

Letrën në të cilën ishte shkruar borxhi, e dëmtuara sqaroi se tani i ndjeri ia kishte kërkuar një ditë para ngjarjes kritike.

Ndërsa ditën kritike, e dëmtuara sqaroi se i ndjeri i kishte treguar asaj se ishte duke shkuar ta takonte të pandehurin Haliti, pasi i njëjti kishte për t’ia kthyer borxhin e marrë.

“Më ka njoftuar Mentori dhe e kam dëgjuar në telefon kur ka bisedu dhe i thash mos shko se po të bën tradhti sepse ka qenë një shumë e madhe. E kam patur një parandjenjë të keqe se do të ndodhë diçka”, shtoi e dëmtuara Zekaj.

Ajo po ashtu sqaroi se para bisedës së lartcekur, tani i ndjerit Mentor i kishte treguar asaj se i pandehuri Haliti do të vinte në shtëpi për t’ia sjellë paratë.

“Kur s’ka ardhë i pandehuri, Mentori ka pas me shku me marrë te NLB dhe me sjellë në shtëpi për t’i sjellë paratë, sepse i pandehuri s’ka pas veturë”, shtoi e dëmtuara.

Në këtë moment, babai i të ndjerit, i dëmtuari Bajram Zekaj tha se e kishte gjetur djalin e tij të vdekur dhe për këtë nuk i kishte borxh askujt dhe se familja e tij ishte e ndershme.

Ndërsa, e dëmtuara Mirjeta iu kthye të akuzuarit Kreshnik duke e quajtur faqezi, pasi sipas saj, i njëjti derisa i dëmtuari Bajram ishte duke folur për ndershmërinë e familjes së tij, i akuzuari kishte thënë “Po çfartë”.

“Me pa ba çka ka ba ky, n’rrugë s’kisha dalë me më pa dikush”, iu drejtua e dëmtuara Mirjeta të akuzuarit.

Lidhur me këtë, reagoi kryetari i trupit gjykues, Murat Hulaj, i cili ia tërhoqi vërejtjen të dëmtuarës Mirjeta dhe të akuzuarit, që të mbajnë qetësinë në gjykatë.

Pasi prokurorja Lumturije Vuqetaj përfundoi pyetjet ndaj të dëmtuarës, mbrojtësi i të pandehurit Haliti, avokati Besnik Berisha filloi me marrjen në pyetje të të dëmtuarës.

E dëmtuara, gjatë seancës së sotme tha se në njërin telefon të ndjerit nuk kishte pasur qasje, pasi shënimet në telefonin e tij ishin shlyer tërësisht kur e kishte dërguar tek mjeshtri për ta zhbllokuar dhe se nuk kishte pasur qasje në telefonin e tij.

Për këtë, avokati Berisha e ballafaqoi me një deklaratë të saj të dhënë në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor, në të cilin e dëmtuara, sipas avokatit Berisha kishte thënë “Pasi e kam kontrolluar telefonin e Mentorit, kam vërejtur se i njëjti nga sms e ka njoftuar se ka marrë kredi”.

Berisha e pyeti të dëmtuarën cila është e vërteta pasi në gjykatë kishte thënë se e ka kontrolluar telefonin e Mentorit dhe se ka parë sms, ndërkaq sot thotë se në telefonin e tij kishte zero qasje.

Lidhur me këtë, e dëmtuara deklaroi ishte bërë ngatërrim në citimin e saj nga gjykata .

Në lidhje me këtë pyetje, vërejtje bëri prokurorja Vuqetaj, e cila shtoi se dëshmitarja këtë e kishte deklaruar para vdekjes të ndjerit, ndërsa shlyrja e të dhënave në telefon sipas prokurores, ashtu siç e përshkroi e dëmtuara, ishte bërë pas vdekjes së të ndjerit.

Për të sqaruar këtë rrethanë, e dëmtuara u pyet nga trupit gjykues, ku shtoi se mesazhet në telefonin e bashkëshortit të saj i kishte shikuar gjithmonë para ngjarjes kritike.

“Po, i kam shikuar përherë para ngjarjes kritike dhe sms s’i kemi fshehur asnjëherë”, shtoi e dëmtuara.

Lidhur me këtë, avokati Berisha tha se e dëmtuara fjalën kredi, nuk e kishte deklaruar as në polici dhe prokurori, si dhe kërkoi të dinte arsyen përse nuk e kishte deklaruar më herët.

“Mua nuk më kujtohet saktë çka kam deklaruar. Çka jam pyet unë jam përgjigjur”, tha ajo.

Avokati Berisha e pyeti se a është e saktë që borxhi i dhënë Kreshnik Halilit ka qenë 86 mijë euro, e për këtë, e dëmtuara pohoi se i pandehuri ia kishte kërkuar atë shumë dhe për këtë kishte qenë prezente kur bashkëshorti i saj ia kishte dhënë atij.

“Unë e kam pa kur Kreshniku ka ardhë m’i marrë paratë dhe i kam parë duke ia dhënë”, shtoi e dëmtuara.

Këtë fakt të parashtruar nga e dëmtuara, sipas avokatit Berisha, e dëmtuara nuk e kishte thënë gjatë sesionit të paraditës.

“Në sesionin e paraditës thatë se nuk e keni parë, ndërsa tash po thoni që e keni parë”, tha avokati Berisha.

Pas kësaj, avokati shtoi se të mbrojturit të tij, ishte duke iu cenuar e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak se sipas tij, gjykata nuk ishte duke e detyruar dëshmitaren të përgjigjet në secilën pyetje.

“Kreshnik Halitit po i cenohet e drejta kushtetuese me kushte të njëjta me prokurorinë dhe gjykata po lejon vallëzimet e dëshmitares me përgjigje dhe obligimin e saj të përgjigjet në secilën pyetje përveç kur e priveligjon ligji”, tha Berisha.

Në këtë moment, i akuzuari Haliti, njoftoi gjykatën se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe kërkoi shtyrjen e seancës.

Pas kësaj, seanca e radhës u caktua më  14 dhjetor 2021.

Ndryshe, gjykimi ndaj Halitit ka vazhduar me trupin e ri gjykues, pasi ish-kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri ka ndërruar jetë, ndërsa tani këtë lëndë e gjykon trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Murat Hulaj, me anëtarët Sami Sharraxhiu dhe Musë Povataj.

Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vite e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike. 

Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin Mentor Zekaj.

Sipas aktakuzës, këto veprime kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri Zekaj me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm.

Për këtë veprën penale “Vrasje e rëndë”, sipas nenit 179, paragrafi 1 të Kodit Penal, parashihet dënimi me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

(Kosova Sot Online)