18 viruset me rrezik të lartë në tregjet e mishit në Kinë, a rrezikohet edhe Kosova

  • A.P /
  • 17 November 2021 - 15:58
18 viruset me rrezik të lartë në tregjet e mishit në Kinë, a rrezikohet edhe Kosova

Mediat botërore kanë ngritur alarmin për tetëmbëdhjetë viruse me rrezik të lartë në Kinë, aty ku shpërtheu edhe koronavirusi. Sipas ekspertëve, speciet e kafshëve të egra që tregtohen në tregjet e Kinës, mund të shkaktojnë pandemi të tjera, sikur kjo e COVID-19. Por, sa rrezikohet Kosova nga këto viruse?

Kosova momentalisht mund “të ndihet e qetë” sa i përket rrezikshmërisë së viruseve që po shpërthejnë në Kinë. Kjo pasi nuk importon produkte me origjinë shtazore nga ky shtet.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

Ai deklaron se aktualisht nuk ka ndonjë lajmërim për dyshime të caktuara rreth produkteve që për destinacion kanë Kosovën.

Por, nëse një paralajmërim i tillë vjen, thotë se do të marrin menjëherë masat e nevojshme.

“Import të produkteve me origjinë shtazore nga Kina nuk ka. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me organizatat ndërkombëtare për siguri të ushqimit dhe shëndet të kafshëve. Për secilin dyshim të paraqitur për ndonjë sëmundje të kafshëve apo dyshime për siguri në produkte që për destinacion kanë Evropën apo Kosovën, ne menjëherë marrim lajmërim alert nga sistemet e paralajmërimit të hershëm OIE apo RASFF. Aktualisht nuk kemi ndonjë lajmërim për dyshime të caktuara në këtë drejtim. Kurdo qe paraqitet ndonjë rrezik me kohë ndërmarrim veprimet e duhura ligjore dhe po ashtu e komunikojmë rrezikun për qytetarët”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi tha se Kosova ka bashkëpunim të nivelit të lartë me autoritetet relevante ndërkombëtare, sa i përket shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore.

“Në mënyrë aktive përcjellim situatën e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore, bashkëpunimi me autoritete relevante ndërkombëtare është në nivel të lartë. Çfarëdo rreziku qe paraqitet përveç obligimit ligjorë qe kemi për transparencë. Ne po ashtu kemi përgjegjësinë për paralajmërim të secilit rrezik që mund t’i kanoset shëndetit publikë ne Republikën e Kosovës që lidhe me mandatin e AUV-it”, ka deklaruar Thaçi.

Çka kanë paralajmëruar mediat rreth ‘tetëmbëdhjetë viruseve me rrezik të lartë që po shpërthejnë në Kinë’?

Sipas “The Sun”, një treg i mishit në Wuhan të Kinës, ku tregtarët shisnin gjitarë, zvarranikë dhe peshq, u bë shkaktar për shpërthimin fillestar të COVID-19 në vitin 2019.

Bazuar në këtë, shkencëtari britanik Dr.Eddie Holmes, thotë se ekspertët kinezë kishin vënë në dukje rrezikun e përhapjes së një virusi nga kafshët të njerëzit pesë vjet para fillimit të pandemisë, pasi vizituan tregun e ushqimeve të detit në Huanan.

Tani, ekspertët kanë paralajmëruar se speciet e kafshëve të egra që tregtohen dhe konsumohen në tregjet e Kinës janë një “pandemi në ardhje”.

Po ashtu, një studim i ri i publikuar më 12 nëntor, ka identifikuar 71 viruse të gjitarëve, ku 18 prej tyre konsiderohen me rrezik të lartë për njerëzit dhe kafshët.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, këta studiues kanë deklaruar se shqetësuese janë mikrobet e gjetura në civetë, një kafshë e vogël e ngjashme me një baldosë që ishte specia që barti virusin SARS nga lakuriqët te njerëzit në Kinë, në vitin 2002.

Bota është duke u përballur aktualisht me pandeminë COVID-19.

Rastet e para me COVID-19 u regjistruan në Wuhan të Kinës. Autoritetet atje e kishin lidhur përhapjen e virusit me një treg ushqimesh në këtë qytet, duke krijuar kështu teorinë se virusi kaloi nga kafshët te njerëzit.

Por, në fillim të këtij viti, mediat amerikane publikuan raporte në të cilat thuhej se ekzistojnë prova se virusi mund të kishte dalë nga laboratori në Wuhan, mbase si pasojë e një aksidenti.

Në muajin maj, presidenti Biden urdhëroi zyrtarët e inteligjencës të hetojnë origjinën e virusit, duke përfshirë edhe teorinë e rrjedhjes së tij nga laboratori.

Kina e ka kundërshtuar një teori të tillë.

Ambasada e Kinës në Uashington i tha agjencisë Reuters se “përpjekjet amerikane që për origjinën e COVID-19 të mbështetet në aparatin e saj të inteligjencës në vend të shkencëtarëve, është një farsë politike”.

Që nga marsi i vitit 2020, rreth 240 milionë raste të COVID-19 janë konfirmuar në mbarë botën, me më shumë se 4.9 milionë vdekje.

(Kosova Sot Online)