Tahiri – Qeverisë: Silleni Ligjin e Pagave në Kuvend, ose tregoni që s’keni vullnet

  • E.K /
  • 18 November 2021 - 11:13
Tahiri – Qeverisë: Silleni Ligjin e Pagave në Kuvend, ose tregoni që s’keni vullnet

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në seancën plenare që po mbahet tash, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që ta sjellë në Kuvend për miratim Ligjin e Pagave.

“Kryeministër një ndër ligjet më të rëndësishme që ju nuk e keni sjell në Kuvend është miratimi i Ligjit të Pagave. Ky ligj është dashtë të vijë në kuvend më 29 tetor të këtij viti, jo vetëm që nuk ka ardhë por të gjitha të dhënat që ne I kemi ky ligj s’do të ketë mundësi të vijë.Fatkeqësisht ka ardhë Ligji për Buxhet para Ligjit për Paga dhe se buxhetimi për këtë ligj në Buxhetin e vitit 2022 nuk ekziston. Kërkoj që sa më shpejt të nisin konsultimet për të sjellë këtë ligj në Kuvend. I pari është konsultimi me institucionet, sindikatat e pastaj edhe me neve”, ka thënë Tahiri në fjalën e tij në Kuvend.

Tutje, deputeti i AAK-së ka thënë që qeveria duhet ta thotë troç nëse s’ka vullnet ta sjellë këtë ligj para ligjvënësve.

“Ligji që e kam sjellë në Kuvend nuk është kontestu nga gjykata, ligji është gati, pagat kanë qenë të rritura, për mjekë, policë, shërbyes civilë për të gjitha kategoritë që janë të përfshira. Andaj kërkojmë nga ju që ta sjellni këtë ligj në Kuvend dhe ta buxhetojmë, ose deklarohuni që ju s’keni vullnet ta sjellni në Kuvend Ligjin e Pagave dhe ta thoni troç”, u shpreh Tahiri.

(Kosova Sot Online)