A do të ketë shtrëngim të masave në Kosovë?

  • G.G /
  • 18 November 2021 - 12:03
A do të ketë shtrëngim të masave në Kosovë?

Situata me koronavirus mund të rëndohet sërish në vend. Infektologët po paralajmërojnë se në vend mund të shpërthejë një valë e re infektimesh me koronavirus.

Sipas infektologut Hamdi Ramadani, kjo mund të ndodhë për shkak se në vend ka një numër të madh të qytetarëve të pa vaksinuar.

Përderisa në shumë vende të botës janë vendosur masa të veçanta për personat e pavaksinuar, në Kosovë nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim.

“Janë vetëm 750 mijë qytetarë që janë të imunizuar plotësisht me dy doza të vaksinës”, ka thënë për RTV Dukagjinin.

Ndërkohë, Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve thotë se legjislacioni në fuqi nuk lejon që vaksinimi të bëhet i obligueshëm, por sipas tij vendosja e masave specifike mund të bëhet.

“Ne konsiderojmë se institucionet duhet të veprojnë ndaj secilit që bie në kundërshtim me masat që janë marrë nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë këtu lirinë e lëvizjes për sektorë të caktuar, qendrat tregtare, institucionet arsimore, në mënyrë që edhe këta qytetarë që po refuzojnë të marrin vaksinat të stimulohen për t’u vaksinuar në mënyrë që të mund të kryejnë lëvizjen dhe nevojat e përditshme”, deklaroi Besim Kodra.

A do të ketë shtrëngim të masave?

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ende nuk ka ndonjë vendim për masa shtesë dhe se sipas tyre kjo do të varet nga situata.

Por, sipas tyre personave që frekuentojnë kafiteritë patjetër duhet t’u kërkohen dëshmitë se janë të vaksinuar apo testet e Covidit.

“Është evidente se përkundër se përkundër shumë gjobave që janë shqiptuar, ka mjaft individë e subjekte afariste që shpërfillin këtë masë në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

(Kosova Sot Online)