Njëri nga liderët e lëvizjes që e rrëzoi Millosheviqin: Vuçiqi ka frikë, s’ka njerëz besnikë përreth tij

  • E.K /
  • 18 November 2021 - 12:52
Njëri nga liderët e lëvizjes që e rrëzoi Millosheviqin: Vuçiqi ka frikë, s’ka njerëz besnikë përreth tij

Ivan Maroviq, një nga liderët e lëvizjes së Rezistencës në Serbi që luajti rol të madh në rrëzimin e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, foli në një intervistë për gazetën serbe, Nova për ngjashmëritë dhe dallimet midis Vuçiqit dhe Millosheviqit.

Maroviq tha se ka ngjashmëri mes regjimit të Vuçiqit dhe atij të Millosheviqit, duke thënë se ekipi është i njëjtë.

“Ka një paralele, natyrisht, është i njëjti ekip, megjithëse Vuçiq është një gjeneratë e re, kështu që modeli i tij i qeverisjes është disi i ndryshëm nga ai i Millosheviqit. Mënyra se si është organizuar regjimi është pak a shumë e njëjtë – është një regjim personal ku dikur ishte Millosheviqi, dhe tani Vuçiqi qendra e pushtetit dhe dikush që gjykon në mosmarrëveshjet midis fraksioneve të ndryshme që përbëjnë regjimin”, tha Maroviq.

Ai thekson se kjo luan rol të madh në popull dhe prandaj ai pëlqehet nga shumë fraksione në Serbi si shef i shtetit.

“Këto fraksione janë në krye të institucioneve të ndryshme që shërbejnë si leva pushteti, disa janë shtetërore, disa parashtetërore. Detyra e tyre është ta mbajnë regjimin në pushtet dhe në këmbim mund të përdorin pozicionin e tyre për pasurim personal, pra besnikëri në këmbim të privilegjeve”, tha Maroviq.

Maroviq tha se në këtë pikë, regjimet e Millosheviqit dhe Vuçiqit janë të njëjta. Sipas tij, dallimi është diku tjetër.

“Dallimi është në përbërje, në cilësi. Millosheviqi e ndërtoi regjimin e tij mbi rrënojat e Partisë Komuniste, kishte personel dhe burime, ndërsa Vuçiqi e formoi një ekip nga e para, kështu që regjimi i Vuçiqit, të paktën për mendimin tim, është më i dobët në personel se ai i Millosheviqit. Ai nuk ka ndjekës të tillë besnikë dhe prandaj kërkon besnikëri të plotë prej tyre dhe nuk toleron asnjë kritikë, ai nuk është Millosheviqi që kishte besim në vetvete, kështu që disidentët e tij mund të kenë qenë irritues, por ai nuk i ka perceptuar si kërcënim. Vuçiq ka frikë nga hija e tij”, tha ai.

(Kosova Sot Online)