Hungaria shënon rekord të rasteve me Covid-19

  • G.G /
  • 19 November 2021 - 13:45
Hungaria shënon rekord të rasteve me Covid-19

Hungaria të premten regjistroi shifër rekorde prej 11.289 rastesh me Covid-19, duke u përfshirë në valën e rritjes së infeksioneve në një pjesë të konsiderueshme të Evropës.

Shteti me rreth 10 milionë banorë, fushata e vaksinimit e të cilit ka mbetur prapa mesatares së Bashkimit Evropian, të enjten vendosi masa të reja kufizuese, një ditë para se Austria fqinje, që gjithashtu ka shkallë relavitisht të ulët të vaksinimit, vendosi për izolim të plotë.

Shefi i stafit të Kryeministrit Viktor Orban tha të enjten se Hungaria do t’i bëjë të detyrueshme vaksinat për të gjithë punëtorët shëndetësorë dhe do të kërkojë përdorim të maskave në shumicën e hapësirave të mbyllura nga e shtuna.

Sidoqoftë, këto masa nuk janë aq të ashpra sa ka kërkuar Oda e Mjekëve Hungarezë, e cila të mërkurën bëri thirrje për ndalimin e organizimeve masive dhe që hyrja në restorante, teatro e kinema të kushtëzohet me certifikatën e imunitetit ndaj Covid-19, shkruan Reuters.

Ndryshe, Kryeministri Orban tha për radion publike të premten se Hungaria në shkurt do ta rishikojë dhe me gjasë do ta zgjasë afatin për pragun e çmimit të karburanteve. Këtë premtim e bëri disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të prillit të vitit të ardhshëm, në të cilat ai pritet të garojë për një mandat të ri.

(Kosova Sot Online)