'Zjarri është shkaktuar nga një gabim njerëzor i shoferit'

  • G.G /
  • 23 November 2021 - 13:38
'Zjarri është shkaktuar nga një gabim njerëzor i shoferit'

Vasko Pirgov, eksperti bullgar i motorëve me djegie të brendshme, ka deklaruar për televizionin kombëtar bullgar se zjarri në autobus është shkaktuar nga një gabim njerëzor i shoferit.

Sipas informacioneve fillestare, “autobusit i ka plasur goma e përparme djathtas, e më pas është përplasur në parmakë dhe është zvarritur”.

Pirgov sqaron se në këtë moment është derdhur karburanti pasi në autobus ka punuar ngrohja.

Më pas ka rënë zjarr dhe ka ndodhur aksidenti fatal për pasagjerët që po ktheheshin nga Stambolli për në Shkup.

“Zjarri ka rënë në pjesën e përparme të autobusit dhe për këtë arsye është djegur plotësisht në pjesën e përparme”, shpjegon ai.

Për Pirgov, pranë sediljeve të përparme shoferi ka pasur tuba të mbushur me naftë, dhe për këtë shkak ka ndodhur shpërthimi.

“Autobusi me siguri ka udhëtuar me më shumë se 100 kilometra në orë. Nuk ka gjurmë të frenimit nga autobusi, kështu që shoferi nuk ka reaguar në mënyrë të përshtatshme”, tha eksperti në përmbyllje.

Ndërtimi i ngjarjes

Të paktën 46 persona kanë vdekur, 45 prej tyre shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, pasi një autobus u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Sipas autoriteteve bullgare, ky incident ndodhi në një autostradë të Bullgarisë perëndimore.

Mes viktimave ishin dhe 12 fëmijë. Shtatë persona me djegie u dërguan në spitalin e kryeqytetit, Sofje, tha për televizionin BTV kreu i departamentit të sigurisë nga zjarri në Ministrinë e Brendshme bullgare, Nikolai Nikolov.

“Të paktën 45 njerëz u vranë pasi një autobus mori flakë dhe u rrëzua, ose u përplas dhe më pas mori flakë”, tha Nikolov.

Ministria e përditësoi më pas numrin në 46. Në bord kishte gjithsej 53 persona.

Një zyrtar nga spitali i urgjencës së Sofjes tha se shtatë personat që po merrnin trajtim ishin hedhur nga autobusi që po digjej.

Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme për jetën.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se pasagjerët po ktheheshin në Shkup pasi një udhëtimi në fundjavë në Stamboll.

Aksidenti ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes rreth orës 2 të mëngjesit.

(Kosova Sot Online)