Gjermania me rekord javor të infeksioneve, ministri kërkon masa shtesë

  • G.G /
  • 23 November 2021 - 13:49
Gjermania me rekord javor të infeksioneve, ministri kërkon masa shtesë

Shkalla mesatare javore e rasteve me Covid-19 për 100.000 banorë në Gjermani shkoi në 399.8 të martën, sipas të dhënave të Institutit “Robert Koch”. Kjo ishte dita e gjashtëmbëdhjetë me radhë me rekord të shkallës javore.

Përderisa numri i vdekjeve nga Covid-19 në Gjermani po i afrohet 100-mijëshit, Shtetet e Bashkuara të hënën këshilluan kundër udhëtimit drejt këtij shteti evropian, shkruan Reuters.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, të martën bëri thirrje për kufizime shtesë, duke shtuar se më shumë vende publike duhet të rezervohen vetëm për personat e vaksinuar ose për ata që e kanë kaluar Covid-in së fundi dhe që kanë test negativ për Covid-19.

Të hënën, Spahn tha se deri në fund të dimrit, pothuajse të gjithë në Gjermani “do të vaksinohen, do të shërohen ose do të vdesin”.

Austria fqinje ka vendosur përsëri izolim të plotë për shkak të rritjes së numrit të rasteve. Ministri gjerman nuk ka përjashtuar masa të ngjashme, ndonëse të martën tha se kjo do të vendosej rajon për rajon.

Shumë tregje krishtlindjesh janë anuluar, sidomos në rajonet e prekura më shumë nga përhapja e virusit, Bavari e Saksoni. Rajoni lindor i Brandenburgut ka vendosur që fëmijët nuk kanë më nevojë që të shkojnë në shkolla dhe do t’i fillojë pushimet për Kërshëndella tri ditë para kohës.

(Kosova Sot Online)