Kërkohet paraburgim për personin që dyshohet se fitoi tender prej 47 mijë euro me dokumente të rreme

  • E.K /
  • 23 November 2021 - 14:24
Kërkohet paraburgim për personin që dyshohet se fitoi tender prej 47 mijë euro me dokumente të rreme

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit J.M., i cili me urdhër të prokurorit të shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.

Sipas kërkesës ekziston dyshimi i bazuar se, “i pandehuri J.M., pronar i kompanisë ‘’Tribune’’, SH.P.K., Prishtinë, ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Renovimi dhe meremetimi i objekteve spitalore” dhe “Rregullimi i nxehjes qendrore”, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme, duke paraqitur dokumentacion të rremë, ka arritur të shpallej fitues i tenderit prej 47,058.03 Euro”, njofton prokuroria.

Me këto veprime, i pandehuri J.M., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, nga neni 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Po ashtu, i njëjti, pa autorizim ka lëshuar dokument në emër të personit tjetër, ashtu që ka prezantuar kontratë mbi vepër, të cilën e ka nënshkruar në emër të dikujt tjetër, ka përpiluar CV dhe referenca me përmbajtje të rreme të kompanisë së tij.

Në këtë mënyrë, i njëjti dyshohet edhe për veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, nga neni 391 të KPRK-së.

(Kosova Sot Online)