Gjermania pritet ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin për këtë grup të popullsisë

  • A.P /
  • 23 November 2021 - 16:00
Gjermania pritet ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin për këtë grup të popullsisë

Ushtria gjermane raportohet se do ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin për Covid-19 për ushtarët në kohën kur në vend po zgjerohet debati nëse një veprim i tillë duhet të merret për tërë popullsinë pas përkeqësimit të gjendjes e rritjes së numrit të pacientëve.

Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë të martën konfirmoi një raport të blogut ushtarak gjerman, “Augen Geradeaus” se zyrtarët dhe përfaqësuesit e ushtarëve të hënën në mbrëmje janë pajtuar për ta shtuar vaksinën e koronavirusit në listën e vaksinave që ushtarët duhet t’i marrin. Megjithatë, ministria tha në një deklaratë se kjo masë ende duhet të shtohet formalisht në rregulloret për ushtrinë.

Deri të hënën ishin 1.215 raste aktive me koronavirus në ushtrinë gjermane dhe në mesin e stafit civil të Ministrisë së Mbrojtjes. Dy ushtarë gjermanë kanë vdekur nga Covid-19 nga fillimi i pandemisë, shkruan Associated Press.

Gjermania regjistroi mbi 45.000 raste të reja me Covid-19 dhe 309 të vdekur në 24 orët e fundit. Shifra e përgjithshme e viktimave ka shkuar në 99.433, sipas të dhënave të Institutit “Robert Koch”.

Disa rajone gjermane ditëve të fundit i kanë ashpërsuar masat për personat e pavaksinuar dhe kanë bërë thirrje që të vaksinohen ata që deri më tani nuk e kanë marrë vaksinën.


(Kosova Sot Online)