Pas bisedës me Lajçakun, Vuçiq shkon te Putini për tu ankuar për Kosovën

  • G.G /
  • 24 November 2021 - 13:44
Pas bisedës me Lajçakun, Vuçiq shkon te Putini për tu ankuar për Kosovën

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se Serbia “kërkon, dhe dëshiron” bisedime me Prishtinën, por pyeti edhe se si askush nga BE-ja nuk ka reaguar ndaj qëndrimeve të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Duke iu drejtuar publikut me rastin e bisedimeve për Kosovën dhe vizitën në Rusi, Vuçiq ka deklaruar se Serbia “dëshiron bisedime me Prishtinën në të gjitha nivelet, sa më shpejt, sa më shumë dhe sa më shpesh që është e mundur”.

“Ne besojmë se çdo bisedë është frytdhënëse dhe shëruese, është e rëndësishme të flasim për të gjitha temat, për Asociacionin, energjinë, por edhe të përpiqemi të krijojmë të paktën një minimum besimi mes nesh që të mos futemi në situata si para një muaji. Këtë ia kemi përcjellë dje ndërmjetësuesit për dialog z. Lajçak, ky është qëndrimi zyrtar i Serbisë. Për biseda jemi gjithmonë të gatshëm, duam që ato të jenë sa më të shpeshta dhe nuk duam ta pranojmë tezën se në çfarëdo mënyre jemi përgjegjës që të mos ketë bisedime”, përpiqet të arsyetohet Vuçiq.

Ai nuk ka dashur të japë detaje për bisedimet me Lajçakun, por ka thënë se temat variojnë nga zgjidhja e çështjes së personave të pagjetur e deri te formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Vuçiq shtoi se sot do të udhëtojë në Rusi, ku do të takohet me presidentin e atij vendi, Vladimir Putin, me të cilin do të bisedojë për Kosovën dhe se do ta informojë për gjithçka që po ndodh në bisedimet për Kosovën dhe situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor.

“Nesër do të kem një takim me Putinin dhe ky është takimi ynë i 19-të, një takim shumë i rëndësishëm për Serbinë. Ne do të diskutojmë të gjitha çështjet kryesore politike dhe do të mund të dëgjoj se si Putini e sheh situatën në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Vuçiq.

(Kosova Sot Online)