Aktakuzë ndaj zyrtarit doganor, mori 20 euro ryshfet

  • E.K /
  • 24 November 2021 - 15:24
Aktakuzë ndaj zyrtarit doganor, mori 20 euro ryshfet

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër P.X., – person zyrtar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, “i pandehuri P.X., me datë 16.09.2021 rreth orës 22:10, në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, në cilësinë e personit zyrtar- Doganier i Doganave të Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon përfitim pasuror për vete në mënyrë që i njejti të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që qytetari V.K., me rastin e kalimit në pikën doganore duke drejtuar automjetin e tij, me t’u ndaluar nga ana e të pandehurit është pyetur nëse ka ndonjë mall për ta doganuar i cili ka deklaruar se në bagazhin e veturës së tij ka dy autopjesë të përdorura, për të cilat i pandehuri ia ka kumtuar shumën e taksës doganore për të cilat dëshmitari detyrohej ta paguante, mirëpo i njejti shfrytëzon rastin dhe kërkon privatisht nga dëshmitari shumën prej 50 € (Pesëdhjetë euro) në mënyrë që ky i fundit të mos i nënshtrohej taksës doganore, derisa dëshmitari paraprakisht ka raportuar rastin tek Autoriteti i Hetuesisë Doganore dhe pajtohet që t’ia jap të pandehurit shumën prej 20 € (Njëzet euro) ashtu që i pandehuri pranon paratë në fjalë dhe e liron dëshmitarin”, njofton prokuroria.

Me këto veprime i pandehuri P.X., ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.

(Kosova Sot Online)