Derrat futen në fushën e golfit, lëndohen dy persona

  • E.K /
  • 25 November 2021 - 10:11
Derrat futen në fushën e golfit, lëndohen dy persona

Dy persona janë lënduar, pasi dy derra të mëdhenj u futën në një fushë golfi dhe detyruan një klub të këtij sporti që të mbyllet përkohësisht. Ngjarja ndodhi në Britaninë e Madhe.

Derrat e zinj shkaktuan kaos në klubin e golfit “Lightcliffe” në Calderdale duke u futur në hapësirën e gjelbër dhe duke i goditur çantat, shkruan Independent.

Profesionisti i këtij klubi, David Mckidd, tha se dy derrat e zinj fillimisht u panë në fushë të dielën, duke lënduar një golfist përmes shkaktimit të plagëve në këmbë.

Derrat u kthyen përsëri të martën dhe lënduan një punëtor në klub, i cili ishte përpjekur që t’i trembte e largonte kafshët nga fusha.

Foto: PA

Derrat e zinj, që besohet se i përkasin një race vietnameze, ishin të lirë për rreth gjashtë orë të martën.

“U desh të mbylleshim, sepse ata po endeshin përreth dhe u futën në fushë”, i tha televizionit BBC drejtoresha e klubit të golfit, Judith Crowther.

Dy personat e lënduar pësuan lëndime të lehta në këmbë dhe u trajtuan në spital për mbrojtje kundër tetanozit, tha Mckidd.

Një zëdhënës i klubit i tha BBC-së se derrat nuk ishin të një ferme që ndodhet afër klubit dhe se pronari i tyre mbetet mister.

(Kosova Sot Online)