Putini shkarkon shefin e burgjeve pas skandalit me video të torturave

  • A.P /
  • 25 November 2021 - 16:09
Putini shkarkon shefin e burgjeve pas skandalit me video të torturave

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të enjten e shkarkoi nga detyra drejtorin e shërbimit rus të burgjeve, disa javë pas rrjedhjes së disa videove, të cilat dukej se shfaqnin të burgosur duke u torturuar e duke u sulmuar seksualisht.

Alexander Kalashnikov u shkarkua me efekt të menjëhershëm, sipas një njoftimi të shkurtër që u publikua në uebfaqen e presidencës ruse. Arkady Gostev, i cili më parë ka shërbyer si zëvendësministër, u emërua në vendin e zyrtarit të shkarkuar.

Kremlini zyrtarisht nuk përmendi ndonjë arsye për shkarkimin e Kalashnikovit nga posti i drejtorit të Shërbimit Federal të Burgjeve, shkruan Reuters.

Megjithatë, ky vendim erdhi pasi Shërbimi i Burgjeve muajin e kaluar shkarkoi pesë zyrtarë të lartë dhe hapi një varg hetimesh kriminale për incidentet në një burg të rajonit Saratov.

Autoritetet filluan të merrnin masa, pasi një grup për të drejtat e të burgosurve, Guladu.net, filloi të publikonte materiale për të cilat tha se janë dëshmi të sadizmit të orkestruar në një burg rreth 700 kilometra në juglindje të Moskës.

(Kosova Sot Online)