Marrëveshjet në fushën e bujqësisë që u nënshkruan sot në mbledhjen e përbashkët

  • G.G /
  • 26 November 2021 - 14:08
Marrëveshjet në fushën e bujqësisë që u nënshkruan sot në mbledhjen e përbashkët

Dy qeveritë shqiptare sot kanë mbajtur mbledhjen e përbashkët, në Elbasan të Shqipërisë, ku janë nënshkruar gjashtëmbëdhjetë marrëveshje bashkëpunimi.

Një ndër marrëveshjet e nënshkruara është edhe ajo në fushën e bujqësisë.

Ministri Faton Peci dhe ministrja Frida Krifca, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në mes dy ministrive të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Në njoftimin e MBPZH-së së Kosovës bëhet e ditur se ministri peci ka deklaruar se me nënshkrimin e këtin Memorandumi do të intensifikohet bashkëpunimi në fushën e bujqësisë në mes të dyja shteteve.

”Do të bashkëpunojmë në përafrimin e Politikave të Përbashkëta Bujqësore,  në shkëmbimin e informatave dhe përvojave në zhvillimin e sistemeve operacionale të zbatimit për përdorimin e fondeve të para anëtarësimit të BE–së dhe fondet për zhvillim rural të pas–anëtarësimit, si dhe në Zhvillimin e Sistemit të Gjithmbarshëm të Kontrollit dhe Administratës së Integruar. Krahas kësaj, përmes këtij memorandumi do të angazhohemi për lehtësimin e shkëmbimeve tregtare duke hequr tarifat e kontrollit për import – eksportet, dhe angazhimin për mos rritjen e tarifave të tjera në të ardhmen”, ka theksuar Ministri Peci. Ndër tjerash, ai potencoi se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve do të orientohet edhe në fushën e agroturizimit, blegtorisë, vreshtarisë dhe verëtarisë”, ka deklaruar Peci.

Në anën tjetër, Ministrja Frida Krifca, ka deklaruar se me këtë Memorandum përcaktohet angazhimi për mbështetjen dhe inkurajimin e përbashkët në marrjen e masave të duhura në pajtim  me  legjislacionin përkatës në fuqi për zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit reciprok të dobishëm për të dyja palët.

“Me këtë Memorandum do të angazhohemi në shkëmbimin e përvojave në fushën e mbrojtjes së resurseve peshkore, në shkëmbimin e përvojave në procesin e integrimit evropian, në shkëmbimin e informatave teknike dhe ekspertëve në fushën e koordinimit  të asistencës së jashtme, menaxhimit të procesit të Integrimit Evropian, ndërtimin dhe fuqizimin e strukturave të angazhuara në këto procese”, theksoi Krifca.

Po ashtu, ajo theksoi se krahas gjithë këtij bashkëpunimi, do të orientohen edhe  në shkëmbimin e ekspertëve në lidhje me projekte mbi programet analitike, si dhe në shkëmbimin e përvojave rreth integrimit të gruas fermere, si dhe mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së saj në veprimtaritë e ndryshme bujqësore.

(Kosova Sot Online)