Gjendet një i mbijetuar pas aksidentit

  • A.P /
  • 26 November 2021 - 16:06
Gjendet një i mbijetuar pas aksidentit

Ekipet e shpëtimit kanë gjetur një të mbijetuar në një minierë thëngjilli në Siberi, ku dhjetëra minatorë besohet se kanë vdekur pas një shpërthimi shkatërrues të metanit, tha të premten një zyrtar i lartë rajonal.

Guvernatori i rajonit Kemerovo, Sergei Tsivilyov, tha se i mbijetuari është gjetur në minierën “Listvyazhnaya” në jugperëndim të Siberisë dhe se ai është duke u dërguar në spital, shkruan Associated Press.

Ministri në detyrë i Emeergjencave, Alexander Chupriyan, e identifikoi të mbijetuarin si punëtor të ekipeve të shpëtimit me emrin Alexander Zakovryashin, i cili llogaritej i vdekur. “Mund ta konsideroj mrekulli”, tha ministri rus.

Sipas zyrtarëve të emergjencave, Zakovryashin ishte me vetëdije, kur shpëtuesit arritën të vendosnin kontakt me të dhe është hospitalizuar për shkak të helmimit me monoksid karboni.

Ekipet e shpëtimit u detyruan që ta ndërprisnin punën për të gjetur të mbijetuar pas shpërthimit të metanit dhe zjarrit.

(Kosova Sot Online)