Kujdestares së klasës i dridhet zëri derisa e përshkruan nxënësen e saj që u vra mbrëmë

  • S.A /
  • 27 November 2021 - 08:33
Kujdestares së klasës i dridhet zëri derisa e përshkruan nxënësen e saj që u vra mbrëmë

Merita Cula, profesoreshë e gjimnazit “Hysni Zajmi, mes lotësh e ka përshkruar nxënësen e saj, e cila u vra mbrëmë në Gllogjan.

Për 17-vjeçaren, ka thënë se ishte nxënëse e shkëlqyer.

 

“Me familjarët s’kam mundur të kontaktojë, por me pjesën tjetër të klasës jemi tronditur të gjithë. Jam qe tre vite kujdestare e klasës. Nëpërmjet rrjeteve sociale e kom pa, pastaj të gjithë tu shkru në grup a është e vërtetë. Ka qenë nxënëse e shkëlqyer. Mungesa s’ka pasur. Në orën 18:00 e kanë pasur autobusin për në shtëpi, por sonte nuk arriti që të shkonte”, ka thënë ajo mes lotësh.

Ndryshe, tre persona janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit.

Të shtënat kanë ndodhur të premten, në orët e mbrëmjes.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë se policia, tash për tash, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist.

Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se “sulmin e ka kryer një person i vetëm”.

Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti, ka konfirmuar se një person i plagosur në incident ndodhet në këtë spital dhe se gjendja e tij është stabile.

Në vend të ngjarjes, përveç policisë, ka dalë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

Kryeprokurori Blerim Isufaj ka thënë para mediave se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.

Ai ka thënë se në mesin e tre të vrarëve janë dy nxënës shkolle dhe shoferi i autobusit.

(Kosova Sot Online )