Informacionet e deritanishme për tragjedinë në Gllogjan ku u vranë tre persona

  • S.A /
  • 27 November 2021 - 08:45
Informacionet e deritanishme për tragjedinë në Gllogjan ku u vranë tre persona

Një sulm makabër është kryer mbrëmë ndaj një autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan. Tre persona janë vrarë dhe një person është plagosur. Të vrarë kanë mbetur dy nxënës dhe shoferi i autobusit. Media  u sjell një përmbledhje të krejt asaj se çka kanë deklaruar autoritetet deri tash për rastin

 

Rreth orës 19:00 të së premtes një krim makabër është kryer në mes të fshatit Shaptej dhe Gllogjan.

Një autobus që transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan, është sulmuar nga një person i maskuar. Nga ky sulm kanë mbetur të vdekur tre persona dhe një është plagosur.

Policia e Kosovës i është përgjigjur rastit duke shkuar në vendin e ngjarjes.

I vdekur në vendin e ngjarjes kishte mbetur shoferi i autobusit që po i transportonte nxënësit.

Ndërkaq, ishin plagosur tre nxënës. Dy prej tyre s’arritën t’u mbijetonin plagëve të marra dhe vdiqën në Spitalin e Pejës.

I plagosuri në ngjarjen tragjike të Gllogjanit i është nënshtruar mbrëmë operacionit për t’ia hequr plumbin nga trupi.

Nga Spitali kanë njoftuar  se operacioni është kryer me sukses dhe i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.

Një prej dëshmitarve që ka qenë në autobus në momentin kur ka ndodhur sulmi, ka rrëfyer se si ka ndodhur rasti.

“Jemi kon tu ec me autobus. Edhe na ka dal një person i maskuar me kallash në dorë edhe ka filluar me gjuajt drejtë neve. Gjithçka ka ndodh shumë shpejt”, ka thënë ai i cili ka qenë i ulur ne ulëset e para të autobusit.

Për krimin makabër që tronditi gjithë vendin është deklaruar për media Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmetaj.

Ai ka thënë se aktualisht janë dy ose tri pista në të cilat po punohet për zbardhjen e autorit të krimit.

“Të gjitha njësitet relevante janë këtu. Aktualisht i kemi dy ose tri pista në të cilat jemi duke punuar. Fatkeqësisht nuk mund të japim detaje sepse në pistat në të cilat po punojmë janë në fazë fillestare”, është shprehur Mehmeti.

Mehmeti tha se janë duke u zhvilluar aksione në kërkim të të dyshuarit dhe po intervistohen persona që mund të kenë lidhje me rastin.

Ai tha se janë duke punuar në dy ose tri drejtime, ku sipas tij, i kanë dyshimet, por që është herët të flitet se a kanë ose jo person/a të dyshimtë.

“Jemi duke punuar në dy ose tri drejtime, ku i kemi dyshimet me bazë të caktuar por është herët të themi se kemi person/a të dyshimtë”, ka thënë ai.

Më tej, sa i përket asaj se Gllogjani duhet të hyj në ‘shtet-rrethim’, Mehmeti tha se aktualisht në vendin e ngjarjes e kanë edhe njësinë e qenëve, por që sipas tij, në mot me shi ata nuk mund  të nuhasin ose të çojnë drejt ndonjë piste.

“Akutalisht kemi njësi të mjaftueshme, por në situata të tilla si kjo me shi, qentë nuk arrijnë ta nuhasin erën e armës apo diçka tjetër”, ka thënë ai.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë se policia, tash për tash, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist.

Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se “sulmin e ka kryer një person i vetëm”.

Në vend të ngjarjes, përveç policisë, ka dalë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

Kryeprokurori Blerim Isufaj ka thënë para mediave se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.

Ai ka thënë se në mesin e tre të vrarëve janë dy nxënës shkolle dhe shoferi i autobusit.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë.

Autobusi ka qenë duke qarkulluar në relacionin Gjakovë – Deçan, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat.

Nuk është ende e qartë nëse autobusi ka qenë cak i të shtënave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka ndërprerë vizitën në Shqipëri për shkak të ngjarjes dhe se ka kërkuar nga Policia e Kosovës “angazhim dhe mobilizim maksimal”, në mënyrë që autori i këtij “akti makabër” të arrestohet sa më parë.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se shpreson që ky sulm të mos jetë terrorist.

“Një autobus që transporton nxënës me u gjuajt në një vend ku dy fëmijë të fshatit Gllogjan kanë gjetur vdekjen…Uroj që të mos jetë ndonjë sulm terrorist mirëpo uroj që këto raste të mos përsëriten kurrë në vendin tonë’, shtoi ai.

Megjithkëto ende nuk dihet ende autori e as motivet e sulmit që tronditi Deçanin mbrëmjen e së premtes.

Ngjarjen e kanë dënuar edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë.

(Kosova Sot Online )