Parashikimi i motit: Java fillon me reshje dëbore dhe ulje temperaturash

  • A.P /
  • 28 November 2021 - 12:52
Parashikimi i motit: Java fillon me reshje dëbore dhe ulje temperaturash

Java fillon me reshje dëbore dhe ulje temperaturash, të mërkurën më shumë diell, nga e enjta sërish priten reshje shiu dhe mot më i butë, parashikon “Prishtina Weather”.

28.11.2021 – Reshjet e shiut që kanë përfshi vendin këto ditë fundjave, do të vazhdojnë përgjatë ditës së hënë, ku me depërtimin e të ftohtit mbi vend pritet të shndërrohen në reshje dobëre të hënën mbrëma, kur pritet të fryjë edhe erë më e fuqishme veriore gjatë natës.  Reshjet e borës vende-vende vazhdojnë edhe të martën në mëngjes, që deri në mesditë pushojnë, e vransirat shpërndahen.

Të mërkurën do të ketë kthjellime dhe diell, e nga e enjta sërish vransirat shtohen, e temperaturat shënojnë një rritje.  Të enjten mbrëma dhe të premten do të ketë edhe riga lokale shiu.

Sipas parashikimeve më të fundit, mbetet një mundësi që këto reshje shiu, të shtunën të kthehen sërish në reshje dëbore, pra të kemi një fundjavë të ftohtë.

Qarkullimi ajror do të jetë i mirë në këto ditë të motit dinamik, që ndihmon në shpërndarjen e ndotësve ajror nga sipërfaqja, e indeksi i cilësisë së ajrit në përgjithësi mbetet në vlera të pranueshme.  Vetëm gjatë periudhave të qetësisë, dhe në pjesë ku nuk mund të ketë qarkullim ajror, ndotësit mund të jenë në koncentrime të rritura e indeksi i cilësisë të kaloj edhe në vlera të dobëta e shumë të dobëta.

Datat:

29.11 – Herët në mëngjes vazhdojnë reshjet e shiut.  Ditën kryesisht me vransira.  Pasdite sërish priten reshje shiu, e në mbrëmje më ftohtë, ku priten edhe reshje bore.

30.11 – Ftohtë.  Në mëngjes me erë, e vende-vende vazhdojnë reshjet e borës. Ditën reshjet pushojnë dhe vransirat fillojnë të shpërndahen.  Në mbrëmje kthjellime.

1.12 – Kryesisht me diell.  Në mëngjes ftohtë e me ngrica.

2.12 – Vransira dhe intervale me diell.  Deri në mbrëmje vende-vende priten mundësi për reshje të dobëta shiu.

3.12 – Mot i butë, kryesisht me vransira, herë herë me riga lokale shiu.

Temperaturat minimale këto ditë zbresin deri në -1C e -3C, e deri të premten rriten në 4C.  Edhe temperaturat maksimale pësojnë rënie ditën e martë deri në 2C, e më pas në rritje graduale deri në 10C të premten.

Do të fryjë erë mesatare dhe fuqishme, të hënën nga jugperëndimi 5-10m/s, e të hënën gjatë natës dhe të martën ndryshojnë kahjen nga veriu e frynë me hove deri në 17m/s (60km/h).

Shtypja atmosferike do të jetë e ndryshueshme këto ditë, nga vlera të ulëta ditën e hënë, shënon rritje deri të mërkurën, e më pas deri të premten sërish në rënie.

(Kosova Sot Online)