Ministria e Shëndetësisë tregon se kur pritet të vendosen masat e reja anti-Covid

  • G.G /
  • 29 November 2021 - 13:25
Ministria e Shëndetësisë tregon se kur pritet të vendosen masat e reja anti-Covid

Ministria e Shëndetësisë pritet që këtë javë t’i dërgojë Qeverisës së Kosovës, propozimet për masa të reja kundër pandemisë COVID-19.

Kështu kanë bërë të ditur nga MSH-ja, në një përgjigje për Demokracia.com, në të cilën thuhet se masat e reja do t’i përgjigjen situatës aktuale dhe rreziqeve që mund të shfaqen.

“Masat pritet te rishqyrtohen shpejt, bazuar në diskutimet në Komitet dhe rekomandimet e IKSHPK. Propozimet e MSH-së pritet t’i shkojnë Qeverise këtë javë për masat e reja. Masat e reja do t’i përgjigjen situatës aktuale dhe rreziqeve që mund të shfaqen”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Komiteti për koordinim dhe vlerësim te situatës lidhur me COVID-19 është mbledhur të shtunën dhe ka diskutuar gjerësisht për situatën epidemiologjike pas detektimit te variantit Omicron (të SARS-COV-2) në disa shtete, por edhe për variantet e tjera te pranishme tashmë.

Varianti i ri i COVID-it “Omicron” është shfaqur për herë të parë në Afrikën e Jugut, mirëpo filloi të përhapet shumë shpejt edhe në shtetet e Evropës.

Disa nga shtetet veçse kanë mbyllur kufijtë e tyre, për shkak të përhapjes së varianitit të ri “Omicron”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë të hënën se varianti i ri “Omicron” mund të përhapet në gjithë botën dhe përbën rrezik “shumë të madh” për vendet ku pasojat mund të jenë të mëdha.

Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara ka këshilluar 194 vendet anëtare që të rrisin shkallën e vaksinimit te grupet me prioritet të lartë”.

“Omicron ka numër të pashembullt të mutacioneve, disa prej të cilave janë shqetësuese për shkak të ndikimit potencial në trajektoren e pandemisë. Rreziku i përgjithshëm global i lidhur me variantin e ri të Omicronit vlerësohet se është i lartë”, ka thënë OBSH-ja.

OBSH-ja ka thënë se duhet bërë më shumë kërkime për të kuptuar potencialin e këtij varianti ndaj imunitetit të fituar nga vaksinat dhe infektimet paraprake.

(Kosova Sot Online)