Stuhi me erëra të forta godet Stambollin, katër të vdekur e dhjetëra të lënduar

  • A.P /
  • 29 November 2021 - 19:20
Stuhi me erëra të forta godet Stambollin, katër të vdekur e dhjetëra të lënduar

Stuhi e fuqishme ka goditur disa provinca në Turqi, veçanërisht rajonet e Egjeut dhe Marmarasë duke lënë të vdekur të paktën katër persona në Stamboll dhe një tjetër në Zonguldak.

Në Stamboll era e fuqishme deri në 130 kilometra në orë shkaktoi humbjen e katër jetëve dhe 19 të tjerë u lënduan.

Një sahat-kullë u rrëzua derisa disa avionë nuk mundën të uleshin në dy aeroporte.

Anijet e peshkimit u fundosën në distriktin Pendik derisa ngushtica e Bosforit u mbyll për trafikun e anijeve për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Në Izmir, qyteti i tretë më i madh i vendit në bregdetin e Egjeut, era e fuqishme krijoi dallgë të mëdha duke mbuluar rrugët përgjatë bregut të detit duke detyruar autoritetet të ndalonin shërbimet e trageteve dhe tramvajit.

Era e fortë ka prekur edhe pjesë të tjera të vendit duke rrëzuar pemë, çati të ndërtesave dhe duke shkaktuar dëme të tjera materiale.

(Kosova Sot Online)