Nga SBASHK-u tregojnë se a e pezulluan grevën pas takimit me Sveçlën e Nagavcin

  • A.P /
  • 30 November 2021 - 20:05
Nga SBASHK-u tregojnë se a e pezulluan grevën pas takimit me Sveçlën e Nagavcin

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, sot është ftuar në takim nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku prezente në takim ka qenë edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.

Në takim është diskutuar për kërkesat e SBASHK-ut, të cilët së fundmi kanë paralajmëruar edhe greva nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre në Ligjin e ri të Pagave.

Jasharaj ka thënë se edhe pas takimit me ministrat në fjalë, nuk është marrë ndonjë vendim për pezullimin e grevës, por ka thënë se kjo çështje do të diskutohet me kryetarët e SBASHK-ut në nivele komunale.

“Nuk mund të ju them asgjë për pezullimin e grevës pasi që nuk jam ai që vendosi, tash mbetet të diskutojmë me kryetarët në nivele komunale. Do të shohim nëse takimin e mbajmë nga larg pasi që kryetarët në nivele komunale janë në procese mësimore, ose do të organizojmë takim fizik për të cilin do të ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka thënë se në takimin me ministrin Sveçla, i është premtuar që pas përgatitjes së Ligjit të Pagave, do të zhvillohen takime edhe me Sindikata për tu marrë parasysh kërkesat e tyre.

“Sot kemi zhvilluar takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri kjo që është sponzorizuese e Ligjit të Pagave pas bashkimit me Ministrinë e Administratës Publike. Aty ka qenë prezente edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tek e cila kemi shprehur gjithmonë shqetësimet tona dhe e cila ishte prezente aty për të treguar se është e interesuar që këto çështje të zgjidhen me dialog”, ka thënë Jasharaj.

(Kosova Sot Online)