Studimi: Prekja nga Covidi i rëndë i dyfishon gjasat për vdekje vitin pasues

  • E.K /
  • 01 December 2021 - 10:34
Studimi: Prekja nga Covidi i rëndë i dyfishon gjasat për vdekje vitin pasues

Pacientët që i mbijetojnë Covid-it të ashpër kanë dyfish më shumë gjasa për të vdekur në vitin pasues se ata që nuk janë infektuar ose që kanë pasur simptoma më të lehta, sipas një studimi.

Hulumtimi i publikuar në “Frontiers in Medicine” sugjeron se infeksionet serioze me koronavirus mund ta dëmtojnë në masë të konsiderueshme shëndetin afatgjatë, duke e vënë në pah rëndësinë e vaksinimit.

Rreziku i rritur për të vdekur ishte më i lartë te pacientët nën moshën 65-vjeçare dhe vetëm 20 për qind e pacientëve me Covid-19 të ashpër që vdiqën, e pësuan këtë për shkak të ndërlikimeve tipike të Covid-it, si dështimi i organeve të frymëmarrjes, shkruan The Guardian.

“Ne kryem një studim të mëparshëm që tregoi se pacientët me Covid-19 të ashpër që janë shëruar janë në rrezik dukshëm më të madh që të hospitalizohen në gjashtë muajt vijues”, tha Prof. Arch Mainous nga Universiteti i Floridës, udhëheqës i studimit. “Ky studim i ri e zgjati atë për ta hulumtuar rrezikun e vdekshmërisë përgjatë 12 muajve vijues”, shtoi ai.

Studiuesit i përcollën të dhënat shëndetësore elektronike të 13.638 pacientëve, të cilët e kishin bërë testin PCR për Covid-19 brenda sistemit shëndetësor të Universitetit të Floridës. 178 pacientë përjetuan simptoma të rënda të virusit, 246 patën simptoma të mesme, ndërsa pjesa tjetër doli negative në testim. Të gjithë pacientët e përfshirë në studim u shëruan nga sëmundaj dhe hulumtuesit i analizuan rezultatet.

Shumica e vdekjeve të pacientëve që i mbijetuan Covid-it të ashpër nuk ishin të lidhura me ndërlikimet e zakonshme të kësaj sëmundjeje – 80 për qind e këtyre vdekjeve ndodhën për shkak të një vargu të gjerë të arsyeve, që nuk janë në mënyrë tipike të lidhura me virusin.

Covid-19 mund të shkaktojë simptoma të rënda dhe vdekje te personat e ndjeshëm, sidomos te ata me probleme tjera shëndetësore. Disa njerëz gjithashtu e përjetojnë Covid-in e gjatë, që ka simptoma që zgjasin disa javë ose disa muaj pas infeksionit. Simptomat si plogështia dhe shkurtimi i frymëmarrjes mund të mbeten disa muaj pas kalimit të infeksionit.

(Kosova Sot Online)