Gjykata refuzon pranimin e fajësisë të akuzuarit Bojan Trajkoviq për mashtrim me subvencione në Gjilan

  • A.P /
  • 01 December 2021 - 16:47
Gjykata refuzon pranimin e fajësisë të akuzuarit Bojan Trajkoviq për mashtrim me subvencione në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan ka refuzuar pranimi i fajësisë të akuzuarit Bojan Trajkoviq, me arsyetimin se pranimi i tillë nuk është i plotë si në aktakuzës. Ai akuzohet se ka paraqitur të dhëna të pasakta për përftimin në subvencione në Gjilan.

I akuzuari Zvonko Petroviq, ngarkohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuari Bojan Trajkoviq akuzohet nga prokuroria për veprën penale “Mashtrim me subvencione”, raporton Betimi për Drejtësi”.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitari Bejtulla Pira, i cili ka deklaruar që e mbështes në tërësi deklaratën e dhënë në prokurori.

Dëshmitari Pira ka shtuar se kompetent për të bërë vlerësimin e dokumentacioneve është Drejtoria e Kontrollit në Ministria e Bujqësisë në Prishtinë, ndërsa sipas tij, roli i drejtorisë komunale në Gjilan është vetëm grumbullimi dhe klasifikimi i dokumentacioneve.

“Roli im ka qenë kontrolli i dokumentacioneve, dhe në rastin konkret nuk i kam kontrolluar dokumentacionet se nuk e kam pasur rendin sepse kemi qenë të ndarë në grupe”, ka deklaruar dëshmitari Pira.

Ai tutje ka shtuar po ashtu se nuk ka qenë i njoftuar lidhur me aplikimin e të akuzuarit Bojan Trajkoviq.

“Nëse dikush aplikon me ndonjë parcel të huaj, apo nuk ka ndonjë kontratë për shfrytëzim që nuk është pronarë, këtë duhet ta kontroll Drejtoria Komunale”, ka thënë dëshmitari Pira.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e ekspertit financiar Ibrahim Tahiri, i cili ka deklaruar që mbetëm në tërësi pranë ekspertizës së dhënë për këtë rast.

Sipas ekspertit Tahiri dëmi i shkaktuar në këtë rast është 199.72 euro.

Prokurori Shaban Spahiu ka deklaruar se pas sqarimit që dha eksperti financiar lidhur me ekspertizën financiare, precizoj se sa është përftimi për të pandehurin Bojan Trajkoviq prej vitit 2015-2020.

“Tani duhet të bëjë përmisimin dhe precizimin e pjesës përshkruese në dy diapozitivat e aktakuzës ashtu që në diapozitivin një dhe dy heqet pasuesi i katër rreshtave të fundit dhe në vend të tyre shënohet “dhe atë në vazhdimin pas fjalëve 2015 deri në vitin 2020 në shumën prej 199.71 euro për të cilën në diapozitivin e parë shënohet dëmtimi i buxhetit të Kosovës në këtë shumë, ndërsa në diapozitivin e dytë përveç dëmtimit të buxhet shkruhet edhe  përfitimi i kundërligjshëm pasuror të akuzuarit Bojan Trajkoviq”, ka deklaruar prokurori.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me leximin e provave materiale.

Tutje, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të akuzuarve.

I akzuarti Zvanko Petroviq, ka deklaruar që nuk e pranon veprën penale për të cilën akuzohem, duke shtuar së mbetem në tërësi pranë deklaratave të dhëna në polici dhe në prokurori.

“Që prej 2015 e deri më sot jam shef i sektorit të prodhimit bimorë në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Gjilanit”, ka thënë Petroviq.

“Unë nuk e kam njohur asnjëherë të akuzuarin Bojan Trajkoviq, nuk kam pasur asnjë shoqëri me të. Detyra ime kur janë pranuar aplikacionet ka qenë me pranuar dokumentacionin sipas kushteve të aplikacionit”, ka deklaruar i akuzuari Zvanko Petroviq.

I akuzuari Petroviq ka thënë se nuk e kam ditur se Bojan Trajkoviq ka aplikuar me parcela të huaja, dhe nuk ka pasur asnjë përfitim nga i njëjti.

“Gjatë procedurës se aplikimit ka pasur raste kur kemi gabuar, dhe kemi bërë përmisime pastaj, por nuk kemi pasur raste kur Ministria e Bujqësisë ka bërë përmisime. Fletën poseduese i akuzuari Bojan Trajkoviq, në emër të Bosilkës me sa më kujtohet nuk e ka paraqitur”, ka shtuar i akuzuari Petroviq.

Ai thotë se e pranon që është bërë një lëshim, por sipas tij ai nuk e ka bërë këtë me qëllim.

“Unë nuk mundëm të kompensoj dëmin Ministrisë me arsyetimin se nuk i kam marr paratë, këtu mund të jetë edhe gabimi im por edhe i Ministrisë, sepse edhe dy shkallë të tjera kanë vendosur për të”, ka shtuar ai.

Tutje, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të akuzuarin Bojan Trajkoviq, i cili e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën më vihet në barrë.

“Unë e kam mësuar që kam marr të holla edhe për ngastrën kontestuese vetëm kur më ka lajmëruar i dëmtuari Vllastimir Stajiq”, ka shtuar i akuzuari Trajkoviq.

Por, prokurori  ka deklaruar që një deklarim të tillë nga i akuzuari nuk e konsideron si pranim të fajësisë, andaj i ka propozuar gjykatës marrjen në pyetje të të njejtit.

Mbrojtësi i të akuzuari Bojan Trajkoviq, avokati Arsim Vranovci ka deklaruar që i mbrojturi i tij pranon që ka marr para, por i njejti nuk ka dorëzuar letrën poseduese në emër të Bosilkës.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Maliqi ka refuzuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari, duke marr parasysh që i pandehuri nuk e ka pranuar veprën penale siç parashihet në aktakuzë, andaj pranimi i tillë nuk nuk është i plotë.

I akuzuari Trajkoviq ka deklaruar që me profesion është bujk dhe parcelat që janë paraqitur në subvencione i ka punuar, ndërsa deklaron se ngastrën e Bosilkë Staiq nuk e ka punuar kurrë.

“Unë jam i gatshëm që të kthej shumën prej 199.72 euro Drejtorisë së Bujqësisë,  si dhe unë nuk e di se i dëmtuari a ka apo nuk ka parcela. Nga këto 199.72 euro asgjë nuk ka përfituar Zvanko Petroviq, dhe se asnjëherë nuk më ka thënë se do të bëjë ndonjë lëshim që ju të përfitoni. Komisioni për verifikimin e pronave ka qenë nga Prishtina e jo nga Gjilani”. ka shtuar në fund i akuzuari Trajkoviq.

Seanca gjyqësore ka vazhduar me fjalën përfundimtare të prokurorit të shtetit, i cili ka deklaruar që mbetëm në tërësi pranë aktakuzës së ushtuar kundër të akuzuarëve Zvonko Petroviq dhe  Bojan Trajkoviq.

“Mohimi i të pandehurëve se nuk e kanë kryer veprat penale në fjalë, është vetëm një përpjekje pëe të ju shmangurë snakisonev penale. Mandje janë në kundërshtim me provat, ku gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar se ngastra kontestuese ka qenë e prezantuar në aplikacion për përfitim të subvencione”, ka deklaruar prokurori Spahiu.

Ai ka shtuar se duke marrë parasysh të gjitha këto, i ka propozuar gjykatës se të njëjtit t’i shpall fajtor dhe t’iu shqiptoj një dënim meritor.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Zvonko Petroviq  avokat Ilmi Qerimi, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor me asgjë nuk është vërtetuar se i pandehurit Zvanko ka kryer veprën penale.

Po ashtu edhe avokati Arsim Vranovci mbrojtës i të akuzuarit Bojan Trajkoviq, ka  shtuar se nuk ka pasur as qëllim as mashtrim të prezantimit të listës prezantuese të  dëmtuarit.

Sipas tij, në këtë rast kemi të bëjmë me një lajthim juridik faktik gjatë mbushjes së aplikacionit.

Ai ka kërkuar nga trupit gjykues, që i mbrojturi i tij t’i kthej të hollat Ministrisë,  dhe të jetë i lirë.

Të akuzuarit Zvonko Petroviq  dhe Bojan Trajkoviq kanë kërkuar nga gjykata lirimin e tyre nga akuza.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar me datën 3 dhjetor 2021.

Ndryshe, sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan më 22 prill 2021, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Zvonko Petroviq sepse nga viti 2015 e deri më 21 korrik 2020, në vazhdimësi, në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjilan, si person zyrtar, në cilësinë e zyrtarit për vlerësimin dhe verifikimin e aplikacioneve pranë Drejtorisë së Bujqësisë në komunën e Gjilanit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe të pandehurin Bojan Trajkoviq, përfitues i subvencioneve për të mbjella me grurë si dhe shkaktimit të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që nuk iu ka përmbajtur kritereve dhe vlerësimit të dokumentacionit.

Në aktakuzës thuhet se pasi që i pandehuri Bojan Trajkoviq nuk ka plotësuar kushtet dhe kriteret për fitimin e subvencioneve për të mbjellat me grurë. Kësisoj, sipas aktakuzës, i ka mundësuar përfitimin e kundërligjshëm edhe atë për vitin 2015 shumën prej 363.00 euro, për vitin 2016 shumën prej 397.50 euro, për vitin 2017 shumën prej 397.50 euro, për vitin 2018 shumën prej 465.00 euro, për vitin 2019 shumën prej 465.00 euro dhe për vitin 2020 shumën prej 819 euro, në vlerë të përgjithshme 2.907,00 euro, për të cilën shumë ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, i pandehuri Bojan Trajkoviq nga viti 2015 deri në fund të vitit 2020, në vazhdimësi, në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjilan, në cilësinë e fermerit, ka aplikuar për marrjen e subvencionit për mbjelljen e grurit, në atë mënyrë që ka paraqitur të dhëna të pasakta dhe jo të plota, të cilat kanë kusht për aprovim dhe atë për ngastrat kadastrale të cilat kanë qenë në emër të prindit të tij dhe gjyshit të tij, nuk ka ofruar dëshmi për shfrytëzimin e këtyre ngastrave kadastrale, si dhe pa dijeninë e të dëmtuarit Vllastimir Stajiq, ngastrën kadastrale në vendin e quajtur “Ogranxha” me sipërfaqe prej 190m2, kishte aplikuar për marrjen e subvencionit.

Në aktakuzës thuhet se nga këto të dhëna, në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar nga subvencionet dhe atë për vitin 2015 shumën prej 363.00 euro, për vitin 2016 shumën prej 397.50 euro, për vitin 2017 shumën prej 397.50 euro, për vitin 2018 shumën prej 465.00 euro, për vitin 2019 shumën prej 465.00 euro dhe për vitin 2020 shumën prej 819 euro, në vlerë të përgjithshme 2.907,00 euro, për të cilën shumë ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “mashtrim me subvencione”, nga neni 336 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

(Kosova Sot Online)