Kllokoqi letër Kurtit: Mos na injoroni, na lejoni të punojmë

  • E.K /
  • 02 December 2021 - 15:04
Kllokoqi letër Kurtit: Mos na injoroni, na lejoni të punojmë

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi i ka drejtuar një letër të hapur të parit të Qeverisë, Albin Kurti, ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifit.

Kllokoqi ka thënë se klubet e natës dhe sallat e dasmave janë ministria e 16-të e Kosovës duke marrë parasysh se diaspora qëllimin kryesor gjatë vizitës në Kosovë e ka argëtimin pas një pune të lodhshme që bën në vendet ku veprojnë gjatë tërë vitit.

Sipas tij, miliona euro tatime derdhen direkt e indirekt si zinxhir në arkën e shtetit nga gastronomia.

“Duke marrë parasysh këtë fakt si shtyllë kryesore të promovimit të turizmit në Kosovë dhe si motor i ekonomisë, thjesht po kërkojmë nga ju që të na lejoni punën konform rregullave që po aplikohen edhe në shtetet fqinje, ose në të kundërt po kërkojmë që të na mbështetni në obligimet e qirasë, punëtorëve dhe të ndani një pjesë të fitimit të vitit 2019 për pronarët e këtyre bizneseve.20 klube të natës dhe 200 salla dasmash në total për 19 muaj po mbahen të bllokuara, duke e pasë të ndaluar veprimtarinë e tyre, e aq më tepër duke marrë parasysh se situata me pandemi në 2 muajt e fundit ka qenë shumë stabile ( mesatarisht 20 raste pozitive në ditë). Ju duhet të keni parasysh se edhe ne jemi të gjallë, frymojmë dhe kemi të drejtë ta sigurojmë egzistencën tonë, andaj MOS NA e MOHONI. Gjatë kësaj kohe keni bërë shkelje të së drejtës themelore njerëzore MOHIMI I TË DREJTËS PËR PUNË, njëkohësisht pa na subvencionuar dhe duke e përkrahë heshturazi bankrotimin dhe mbylljen definitive të këtyre bizneseve”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se afro 3000 punëtorë apo 15000 qytetarë të këtij vendi po përballemi me krizë të madhe ekonomike duke iu mohuar e drejta për jetë e pa të ardhura për shkak të vendimeve jo adekuate konform situatës pandemike .

“Këto veprime janë duke shkatërruar atë që me mund e kemi ndërtu ndër vite. Qytetarët tanë tash po frekuentojnë klubet e natës dhe sallat e dasmave në Maqedoni që janë një orë larg nga Prishtina, apo në Shqipëri dy orë e tridhjetë minuta. Rrjedhimisht Kosova po e humbë primatin e vendit me jetën më të mirë të natës në rajon, duke i anashkaluar komplet nga jeta ekonomike këtë nënsektor të rëndësishëm, si pasojë e masave diskriminuese që po aplikohen. Shtrohet pyetja a thua që nuk po bëjnë menaxhim të mirë shtetet e rajonit?? Jemi shteti me shkallën më të lartë të vaksinimit dhe stabilitetin më të lartë epidemilogjik për më shumë se dy muaj e gjysmë, sepse të gjithë jemi të përkushtuar ti përmbahemi asaj që është për të mirën tonë, dhe as që jeni lodhë që t’i rivlersoni masat po për aq kohë”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)