Bie përkrahja për kandidatin për president të Francës me qëndrime anti-islame

  • A.P /
  • 02 December 2021 - 15:55
Bie përkrahja për kandidatin për president të Francës me qëndrime anti-islame

Një anketë e re ka shfaqur rënie të konsiderueshme të përkrahjes së francezëve për polemizuesin e së djathtës ekstreme, Eric Zemmour, i cili para disa ditëve e shpalli kandidaturën për president të Francës. Ai njihet për qëndrimet kundër të huajve, veçanërisht kundër personave me ngjyrë dhe myslimanëve.

Sipas anketës së të përjavshmes franceze, “Le Journal du Dimanche”, Zemmour tashmë nuk është më në vendin e dytë, por në të tretin, me 14 deri 15 për qind të përkrahjes. Marine Le Pen doli e dyta me 19 deri 20 për qind të përkrahjes, ndërsa presidenti i tanishëm, Emmanuel Macron, doli i pari me 25 për qind.

Rezultati i dobët për ish-gazetarin erdhi pasi përkrahjen për të e tërhoqi njëri nga donatorët e tij më të mëdhenj, miliarderi Charles Gave, i cili njoftoi për vendimin javën e kaluar, shkruan France24, transmeton Gazeta Express.

“Problemi me momentumin është që, posa të humbet një herë, është vështirë të kthehet, prandaj është vështirë që të shohësh se si Zemmour-i mund ta rifitojë momentumin e fuqishëm në rritje, që dikur e kishte vënë atë para Le Pen-it në disa anketa”, tha Jim Shields, profesor i politikës franceze në Universitetin Warwick.

Para disa ditëve, Zemmour publikoi një video me komente negative rreth të huajve. Në video shiheshin një grup myslimanësh duke falur namaz në rrugë. Figura kundërthënëse gjithashtu ka thënë se nëse bëhet president, francezët nuk do të mund t’ua lënë emrin Muhamed bijve të tyre.

(Kosova Sot Online)