Serenata e fundit, Merkel mbyll mandatin me këngën punk të Nina Hagen

  • A.P /
  • 02 December 2021 - 18:15
Serenata e fundit, Merkel mbyll mandatin me këngën punk të Nina Hagen

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, zgjodhi tingujt muzikorë që do të luhen në ceremoninë e përmbylljes së mandatit, pas 16 viteve në pushtet. “Zonja e hekurt” nuk do të largohet nga detyra deri javën e ardhshme, por banda e ushtrisë do të mbajë një event në nder të saj.

Ceremoniali i njohur si “Grosser Zapfenstreich”, është kthyer tashmë në një traditë për figurat politike në largim. Zgjedhjet e Merkel kanë tërhequr jo pak vëmendjen e gjermanëve. Dihej që kancelarja në largim ishte një fanse e madhe e muzikës, kryesisht klasike, por i surprizoi të gjithë me këngëtaren gjermane të rrymës Punk, Nina Hagen, me të cilën ka pasur edhe një debat të fortë për drogën në vitin 1992.

Dy përzgjedhjet e tjera ishin brenda pritshmërive: një këngë e njohur e Hildegard Knef me titull “Për mua duhet të bien trëndafila të kuq” dhe një himn i shekullit të 18.

Kënga e Hagen, e titulluar “Harrove filmin me ngjyra”, flet për një të dashur të quajtur Michael, i cili e çon atë me pushime dhe merr me vete vetëm film bardh e zi për aparatin fotografik. “Askush nuk do t’na besojë ne, se sa bukur është këtu”, këndon Nina Hagen duke iu referuar pjesës së vjetër komuniste dhe pa ngjyra të Gjermanisë Lindore.

Zgjedhja e Merkel ka impresionuar gjermanët dhe e shohin këtë si një shenjë që ajo e kupton sensin e humorit.

(Kosova Sot Online)